UP bën marrëveshje me Klubin e Prodhuesve

Universiteti i Prishtinës ‘Hasan Prishtina’ dhe Klubi i Prodhuesve të Kosovës kanë arritur marrëveshje bashkëpunimi

Marrëveshja që u nënshkrua nga rektori i UP-së, Marjan Dema dhe drejtori ekzekutivi Klubit të Prodhuesve të Kosovës, Astrit Panxha, u vlerësua se  do të ndihmojë ekonominë e vendit.

Rektori Dema  tha se ky është një hap tutje drejt transformimit të UP-së.

“Ne jemi në hap të një universiteti të orientuar nga biznes e ka tregu i punës. Me këtë marrëveshje do të fokusohemi në shkëmbimin e informatave sepse luan një rol dominant në botën e sotme”, tha Dema.

Ai shtoi se këto institucione do ta plotësojnë njëra-tjetrën.

“Në fushat që kemi potenciale do të adresojmë shume çështje me rendësi për studentët që do të kryejnë hulumtime, për tema të Masterit e Bachelorit. Po ashtu kemi në plan ta organizojmë festivalin e gjelbër”, tha rektori i UP-së.

Ndërsa drejtori ekzekutiv i Klubit të Prodhuesve, Astrit Panxha tha se kjo marrëveshje u arrit që të krijohet lidhje mes sektorit privat dhe akademik.

“Kemi nevojë për ekspertizë në fusha të ndryshme, andaj kemi fakultetet e UP-së që do t’i shfrytëzojmë si burim. Bashkëpunimi do të krijojë një energji që do të jetë mirëpritëse për ekonominë e vendit dhe në të ardhmen planifikojmë të organizojmë së bashku festivalin e gjelbër”, tha Panxha.

Ai shtoi se synim tjetër është edhe prodhimi i produkteve të reja.

“Ne do të  bashkëpunojmë në krijimin produkteve të reja, në zgjidhjen e probleme të ndryshme që kanë prodhuesit dhe gjithë kjo marrëveshje mund të ndikojë pozitivisht në zhvillimin ekonomik të Kosovës”, theksoi Panxha.