Rektorati i Universitetit të Prishtinës | Foto KALLXO.com

UP ankohet për 'sulme nga organizatat', thonë se po merren me plagjiaturën

Menaxhmenti, Kolegjiumi i Dekanëve dhe Parlamenti i Studentëve i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, përmes një komunikate ka shprehur shqetësimin për siç kanë thënë, sulmet që po i bëhen në vazhdimësi këtij institucioni nga organizatat e arsimit të lartë për amnistimin e plagjiaturës për disa profesorë.

Tutje është thënë se Këshilli i Etikës këtë çështje ia ka lënë në duar Senatit të UP-së.

“Këshilli i Etikës ka vlerësuar se dy nga rastet e paraqitura në këtë organ do të mund të trajtohen më së miri nga një komision tjetër i pavarur dhe profesional, duke ia lënë Senatit të UP-së këtë përgjegjësi. Padyshim që Senati i UP-së do të ndërmarrë hapat e duhura në këtë drejtim në një kohë sa më të shkurtër që është e mundshme. Me fjalë të tjera, çështja nuk është e mbyllur”, është thënë në njoftim.

Aty po ashtu thuhet se Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” do të ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshëm për një trajtim serioz, të përgjegjshëm dhe meritor të rasteve në fjalë

“Menaxhmenti i UP-së, Kolegjiumi i Dekanëve dhe Parlamenti i Studentëve konsiderojnë, se synimi i organizatave të caktuara të shoqërisë civile për të instaluar në universitet një logjikë të ndëshkimit pa procedura dhe mbi bazë të mendimeve personale, është e gabuar dhe e kthen institucionin disa hapa pas. Gjithashtu, kjo nuk është në përputhje me vlerat themelore mbi të cilat funksionon Universiteti i Prishtinës”,  është thënë në komunikatë.

“Tendenca e organizatave të caktuara të shoqërisë civile për t’u vendosur në rolin e vendimmarrësve në universitet përmes presionit dhe agresivitetit, madje duke thyer normat juridike të lejuara për të shprehur opinionin e gjithsecilit në demokraci, lë hapësirë për dyshime mbi motivimin dhe agjendën e tyre”, kanë shtuar ata.

UP ka theksuar se baltosja, tentativat për nxirje të imazhit, aktet e papërgjegjshme në kampusin e Universitetit të Prishtinës tentojnë të rikthejnë jostabilitetin në institucion.

“Gjithashtu, këto tentativa kanë për qëllim të prishin efektin pozitiv, që ka pasur rritja e Universitetit të Prishtinës në të gjitha rangimet ndërkombëtare. Menaxhmenti i UP-së, Kolegjiumi i Dekanëve dhe Parlamenti i Studentëve i bëjnë thirrje organizatave të shoqërisë civile dhe të gjithë akterëve të interesuar për një universitet modern model të bashkëpunojnë me strukturat menaxhuese, ashtu siç ka ndodhur shpeshherë në të kaluarën e afërt, në të mirë të studentëve dhe arsimit të lartë në Kosovë”, thuhet aty.

Ata kanë kërkuar nga të gjithë akterët e shoqërisë kosovare që të respektojnë autonominë akademike dhe institucionale të universitetit dhe të gjitha veprimet të jenë në frymën e avancimit, e jo të baltosjes dhe dëmtimit të imazhit pozitiv të krijuar  së fundmi nga universiteti karshi partnerëve dhe studentëve tanë.

“Universiteti i Prishtinës do të vazhdojë progresin e tij në raport me ligjshmërinë, shërbimet për studentë dhe shoqërinë, sasinë dhe cilësinë e botimeve, transparencën, integritetin dhe ndërkombëtarizimin”, përfundon njoftimi.

Më 21 nëntor, organizatat që merren me cilësinë në arsimin e lartë në Kosovë, ‘ORCA’ dhe ‘Admovere’, përmes një aksioni simbolik para Rektoratit të Universitetit të Prishtinës, kanë akuzuar profesorët e UP-së për plagjiaturë dhe Këshillin e Etikës, që nuk i ka hetuar këto pretendime të organizatave.

Ndërsa, me 4 dhjetor është paralajmëruar marsh protestues për plagjiaturën në UP.

ORCA paralajmëron marsh protestues për plagjiaturën në UP