UNMIK-u thirrje Kosovës dhe Serbisë për të shmangur tensionet

Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm dhe Shefi i UNMIK -ut, Zahir Tanin, ka reaguar pas gjendjes së krijuar në veri pas masës së vendosur nga ana e Kosovës ndaj automjeteve të Serbisë.

Sipas UNMIK, veprimet e njëanshme rrezikojnë paqen dhe sigurinë dhe u ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë të ndërmarrin hapa të menjëhershëm për të shmangur tensionet përmes dialogut politik.

“Tanin u përkujton palëve se veprimet e njëanshme bartin rrezikun e përshkallëzimit dhe duhen të shmangen në interesin e paqes, sigurisë dhe sigurisë së popullsive.Ju bëj thirrje të gjitha palëve të demonstrojnë udhëheqësi të përgjegjshme dhe të ndërmarrin hapa të menjëhershëm për të shmangur tensionet përmes procesit të dialogut politik”, thuhet në një njoftim për media.

UNMIK ka këkruar që të dyja palët të përdorin dialogun.

“Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm dhe Shefi i UNMIK -ut vë në dukje ngërçin e vazhdueshëm mbi zbatimin e masave në targa dhe bashkohet me partnerët ndërkombëtarë në nxitjen e të gjitha palëve për të adresuar çështjet përmes mekanizmave të vendosur të dialogut, në mbështetje të lëvizjes së lirë të personave dhe mallrave dhe në interes të popullatave”, thuhet në reagim.

Autoritetet e Kosovës, të hënën, më 20 shtator, kanë nisur zbatimin e vendimit të Qeverisë së Kosovës për masën e reciprocitetit për veturat me targa të Serbisë që hyjnë në Kosovë.

Sipas këtij vendimi, të gjitha automjetet me targa të Serbisë që hyjnë në Kosovë duhet të pajisen me targa të përkohshme, të lëshuara nga autoritetet e Kosovës.

Ministria e Punëve të Brendshme e Qeverisë së Kosovës ka njoftuar se prej 20 shtatorit e deri në përfundim të ditës së mërkurë, më 22 shtator, ka lëshuar 6.375 targa të përkohshme në të gjitha Pikat e Kalimit Kufitar (PPK) dhe Qendrat e Regjistrimit të Automjeteve në tërë territorin e Kosovës.

Sipas njoftimit të Ministrisë, mbi 3.000 targa të përkohshme janë lëshuar në të gjitha vendkalimet kufitare Kosovë – Serbi, ndërkaq, numri më i madh i tyre është lëshuar në vendkalimet kufitare Dheu i Bardhë dhe Merdar.

Në rrugët që çojnë drejt vendkalimeve kufitare Jarinjë dhe Bërnjak, në veri të Kosovës, të cilat janë bllokuar nga serbët lokalë, sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme janë lëshuar 24 tabela të përkohshme.

 

(VIDEO & FOTO) Vendosen kamion me zhavorr në hyrje të Leposaviqit