Universiteti i Prizrenit planifikon dezinfektimin e kampusit

Që nga fillimi i vitit akademik 2020/2021, universitetet publike janë duke mbajtur ligjëratat online ndërsa provimet dhe pjesën praktike fizikisht nëpër objektet universitare. Jemi gati në fillimin e semestrit të dytë të vitit akademik 2020/2021 por ende nuk ka ndonjë vendim nëse ligjëratat do të vazhdojnë të mbahen online si në semestrin e parë.

Disa prej universiteteve publike kanë hapur tenderë për blerjen e pajisjeve mbrojtëse nga COVID-19 e disa të tjerë për dezinfektimin e objekteve universitare.

Universiteti i Prizrenit “Ukshin Hoti” po planifikon të bëjë deratizimin, dezinfektimin dhe dezinsektimin e hapësirave brenda dhe jashtë Universitetit.

Universiteti kishte parashikuar të shpenzojë 25 mijë euro për këtë kontratë. Për këtë kontratë është rekomanduar kompania “Zona Park”, e cila ka ofertuar me 8 mijë e 990 euro apo gati tri herë më pak se vlera e parashikuar për këtë kontratë.

Kjo kontratë kornizë ka një kohëzgjatje prej 36 muajve apo 3 vjetëve.

Sipas kontratës, dezinfektimi do të bëhet në pjesën e brendshme në një hapësirë prej 15 mijë e 200 metra katrorë.

Deratizimi do të bëhet në një hapësirë prej 15 mijë e 200 metra katrorë brenda Universitetit “Ukshin Hoti”.

Kurse dezinsektimi do të bëhet në oborr dhe hapësira të jashtme në një perimetër prej 21 mijë e 500 metra katrorë.

Gjithashtu në këtë hapësirë do të bëhet edhe largimi i zvarranikëve.

“Shërbimet e DDD dhe largimit të zvarranikëve-gjarpërinjve në kampusin e Universitetit “Ukshin Hoti” Prizren për vitin 2020  trajtimeve bëhet 1 herë, ndërsa për vitet 2021 dhe 2022 bëhet dy here në vit, sipas kërkesave të UUHP-së”, thuhet në dosjen e tenderit.

Ky tender është inicuar që nga tetori i vitit 2020. Në muajin dhjetor ky proces ishte pezulluar për shkak të ankesës së njërës nga kompanive aplikuese, e cila kishte bërë kërkesë për rishqyrtim te Universiteti i Prizrenit “Ukshin Hoti”.

Pikëpamjet e shprehura në këtë publikim janë të BIRN dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohen si qëndrim i Fondacionit të Kosovës për Shoqëri të Hapur.