Ndërtesa e Universitetit të Prizrenit | Foto: KALLXO.com
Universiteti i Prizrenit insiston në blerjen e telefonëve të shtrenjtë
Universiteti i Prizren po insiston që të blejë 8 telefonë të shtrenjtë për nevoja të Këshillit Drejtues dhe Sekretarit të universitetit. Këta zyrtarë parashihet të pajisen edhe me nga një laptop.
Disa javë pasi tenderi për blerjen telefonëve dështoi, universiteti ka hapur sërish tender por tani me kosto më të lartë.
Telefonët me kosto mesatarisht 750 euro për copë, janë të paraparë të blihen për 7 anëtarë të Këshillit Drejtues dhe Sekretarin e Universitetit “Ukshin Hoti.
Pajisja me këto mjete po bëhet pas një vendimi që e ka marrë vetë Këshilli Drejtues i këtij universiteti në përbërje të: Prof. Ass. Dr. Naser Bajraktari – Kryesues; Dr. Hajrija Skrijelj – Zëvendës Kryesuese, Dr. Kushtrim Gashi – Anëtar, Prof.ass. Dr. Rifat Morina – Anëtar; Prof.ass. Dr. Drita Krasniqi – Anëtar; Prof.ass. Dr. Ylli Kortoçi – Anëtar, Prof. Ass. Dr Rifat Hoxha – Anëtar. Ndërkaq Sekretar i Përgjithshëm i universitetit është Burim Berisha.
Tenderi i ri me shumë më të madhe e më pak produkte
Më 18 nëntor të këtij viti, universiteti kishte hapur tender për blerjen e telefonëve për anëtarët e Këshillit Drejtues. Brenda këtij tenderi ishte paraparë blerja edhe e 32 USB-ve dhe 8 diktafonëve.
Vlera e përgjithshme e paraparë për këtë tender ishte 5 mijë e 900 euro.
Më 22 dhjetor, universiteti njoftoi se ka anuluar këtë tender.
“Tenderi anulohet për arsye se pas vlerësimit të tenderit në fjalë, kemi konstatuar se të gjithë tenderët pjesmarrës, kanë qenë të pa përgjegjshëm sepse nuk i kanë plotësuar kërkesat e paraqitura sipas Dosjes së Tenderit dhe Njoftimit për Kontratë”, thuhet në njoftimin e publikuar në platformën “e-prokurimi”
Në anën tjetër, Universiteti i Prizrenit, në përgjigjet për KALLXO.com ka thënë specifikat e telefonëve që i kishin kërkuar në tenderin e parë e kishin tejkaluar koston e paraparë
“Specifikat e telefonave janë ndryshuar nga tenderi i kaluar sepse në herën e kaluar specifikat që kanë qenë me koston e parashikuar e kanë tejkaluar koston e zotimit”, thuhet në përgjigjen e tyre.
Pra, sipas universitetit, 5 mijë e 900 euro nuk do të mjaftonin për blerjen e telefonëve që ata kishin kërkuar si dhe pajisjet e tjera të parapara, përkatësisht, 32 USB dhe 8 diktafonë.
Kështu, më 22 dhjetor tenderi u anulua për tu hapur sërish më 12 shkurt.
Në këtë tender, kostoja e paraparë është 6 mijë euro, përkatësisht 100 euro më shumë se në tenderin e parë.
“Tani janë korrigjuar specifikat dhe kostoja e parashikuar është rritur”, thotë universiteti.
Mirëpo, përveç rritjes së çmimit, universiteti ka larguar nga tenderi edhe pajisjet e tjera që kishin paraparë të blenin, përkatësisht USB-të dhe diktafonët.
Nga universiteti nuk i janë përgjigjur pyetjeve se pse duhet që patjetër të blejnë telefonët me koston 750 euro për copë si dhe pse pajisjet tjera janë larguar prej tenderit.