Universiteti i Prishtinës kremton 53-vjetorin e themelimit

Përmes pikave muzikore, shpërblimit me mirënjohje për studentët e dalluar të Univeristetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” dhe mirënjohjeve për stafin administrativ dhe mesazheve nga përfaqësues vendorë e ndërkombëtarë, u kremtua përvjetori i 53-të i themelimit të UP-së.

Rektori i Universitetit të Prishtinës, Qerim Qerimi u shpreh se ndihet i nderuar që në këtë ditë ta festojë themelimin e këtij institucioni.

“Në më pak se tre muaj që kur kam marrë detyrën për drejtimin e Universitetit të Prishtinës, nuk ka nderim më të madh se sa të qëndroj para jush për të kujtuar dhe festuar ditën e themelimit të këtij institucioni ikonik dhe të pazëvendësueshëm për historinë politike, ekzistencën institucionale dhe dinjitetin nacional të këtij vendi”- u shpreh Qerimi.

Universiteti i Prishtinës kremton 53-vjetorin e themelimit, Foto: KALLXO.com

I pranishëm në këtë ngjarje ishte edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i cili uroi që UP-ja të ketë zhvillim më të madh.

“Uroj që dekada e gjashtë e Universitetit të Prishtinës të jetë dekadë e përvetësimit të mëtutjeshëm në praktikë me mësimdhënie të avancuar, me studentë të përkushtuar e shembullorë, me hulumtime shkencore si dhe publikime e botime edhe ndërkombëtare, si dhe me kontribut të vazhdueshëm e të përditshëm në sferën publike dhe shoqërinë tonë” – tha Kurti.

Në anën tjetër, Mehmet Kraja, kryetar i Akademisë së Shkencave të Kosovës, theksoi se Universiteti i Prishtinës i duhet Kosovës edhe idealeve të saj.

Përmes një video-mesazhi në këtë ceremoni, shkrimtari i njohur shqiptar, Ismail Kadare uroi gjithashtu për përvjetorin e themelimit të UP-së.

“Do të doja t’iu uroja gjithë të mirat dhe gjithë përkrahjen time të thellë shpirtërore kolegëve të mi  shkrimtarë e gjuhëtarë të cilët bën pjesë bashkërisht në një betejë të vjetër të jashtëzakonshme dhe t’iu kujtoj se asgjë e tyre nuk shkon dëm”- tha ai.

Universiteti i Prishtinës kremton 53-vjetorin e themelimit, Foto: KALLXO.com

Ndërkaq, rektori i Universitetit të Tiranës, Artan Hoxha foli për marrëveshjet ndërmjet dy universiteteve.

“Kemi disa marrëveshje që kanë filluar intensivisht nga viti 2012-2019 dhe së fundmi kemi një të bërë në vitin 2021 me të cilën ne angazhohemi që të asistojmë njëri-tjetrin në veprimtaritë akademike të kërkimit shkencor dhe inovacion me qëllim që të realizojmë sa më mirë misionin që ne kemi si institucione të arsimit të lartë për shoqëritë tona”- u shpreh ai.