Universiteti i Prishtinës i bindet ministrit në largim, rrit numrin e studentëve të Mjekësisë

Fakulteti i Mjekësisë në Universitetin “Hasan Prishtina” nga ky vit do të ketë numër më të madh të studentëve.

Kjo pasi Universiteti i Prishtinës, sot ka marrë vendim që numri i studentëve në programin “Mjekësi e Përgjithshme” dhe “Infermieri”, të rritet për disa studentë.

Sipas njoftimit të UP, në programin “Mjekësi e Përgjithshme” numri nuk mund të kalojë 225 studentë, ndërsa  në programin Infermieri nuk mund të regjistrohen më shumë së 109 studentë.

UP ka njoftuar se regjistrimi i kandidatëve si më sipër do të bëhet ditën e Hënë me datë 9.09.2019 nga ora 9:00 deri në ora 15:00, në Administratën Qendrore të UP-së (ndërtesa e Bibliotekës Qendrore Universitare).

Njoftimi i plotë i UP:

Njoftohen kandidatët të cilët në afatin e parë të konkursit nr. 1/893, dt. 4.7.2019, për pranimin e studentëve në vitin e parë të studimeve themelore-baçelor për vitin akademik 2019/20, kanë aplikuar për pranim në Fakultetin e Mjekësisë, programi i studimit “Mjekësi e Përgjithshme dhe programi i studimit “Infermieri”, e të cilët kanë kaluar pragun e kalueshmërisë, se mbi bazën e Vendimit nr. 304/01-B, datë 15.07.2019 si dhe Vendimit nr. 460/01B, datë 04.09.2019 të MASHT, për ndryshim të Vendimit nr. nr. 304/01-B, datë 15.07.2019, do të regjistrohen në drejtimet përkatëse sipas renditjes së pikëve të përgjithshme dhe atë si në vijim: Fakulteti i Mjekësisë: Në programin e studimit “Mjekësi e përgjithshme”, numrit aktual prej 150 studentëve të paraparë për pranim, i shtohen edhe 75 studentë të rinj nga listat e kandidatëve të papranuar (duke përfshirë kuotat e rezervuara), e të cilët kanë kaluar pragun e kalueshmërisë në bazë të renditjes së pikëve të përgjithshme nga lista e publikuar në ueb-faqen e Fakultetit të Mjekësisë. Numri i përgjithshëm i studentëve që do të pranohen në Fakultetin e Mjekësisë, programi-Mjekësi e përgjithshme nuk guxon të kaloj 225 studentë. Në programin e studimit “Infermieri”, numrit aktual prej 50 studentëve të paraparë për pranim i shtohen edhe 59 studentë të rinj (duke përfshirë kuotat e rezervuara).Meqenëse në Programin  e studimit “Infermieri”,  kanë mbetur të paplotësuara disa vende për arsye të mos kalimit të pragut të kalueshmërisë, vendeve të pa plotësuara i shtohen edhe 59 vende tjera, të cilat do shpërndahen në bazë të përqindjeve të parapara dhe do të publikohen në Konkursin plotësues. Numri i përgjithshëm i studentëve që do të pranohen në Fakultetin e Mjekësisë, programi-infermieri nuk guxon të kaloj 109 studentë.

Historiku i problemit

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi para dy ditësh ka marrë një vendim të ri në lidhje me studentët e Fakultetit të Mjekësisë në Universitetin “Hasan Prishtina”.

Bytyqi ka obliguar UP-në që të rrisë numrin e studentëve sipas vendimit që ai e kishte marrë më 15 korrik të këtij viti, kështu duke e injoruar vendimin e Këshillit Shtetëror të Cilësisë rreth kësaj çështjeje.

“Obligohet Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” gjegjësisht Fakulteti i Mjekësisë, që të regjistrojë studentët e cekur në vendimin me nr.304/-B”, thuhet në vendimin e tij të siguruar nga KALLXO.com.

Para dy ditësh ministri në detyrë i Arsimit, Shyqiri Bytyqi ishte takuar edhe me disa nga anëtarët e KShC-së.

Mosrritja e numrit të studentëve të Fakultetit të Mjekësisë kishte shkaktuar edhe protesta nga ana e studentëve, ku edhe kishin paralajmëruar grevë urie.

Këshilli Shtetëror i Cilësisë në mbledhjen e 26 korrikut e kishte rrëzuar vendimin e Bytyqit, duke vendosur që të mos rritet numri i studentëve të këtij Fakulteti. Për këtë pikë kishin votuar katër anëtarë për dhe tre kundër, ndërsa prezentë ishin shtatë anëtarët nga nëntë gjithsej.

Me 9 korrik të këtij viti, ministri Bytyqi kishte takuar ministrin e Shëndetësisë, Uran Ismaili dhe dekanen e Fakultetit të Mjekësisë në UP, Suzana Manxhuka-Kërliu, për të diskutuar kërkesën e tyre për rritjen e numrit të studentëve në dy programe studimore.

KShC është organ që vendos për rritje të numrit të studenteve në bazë të rekomandimeve të ekspertëve ndërkombëtarë.