Universiteti i Pejës "Haxhi Zeka"

Universiteti i Pejës ka shpenzuar vetëm 1 mijë euro për furnizim me pajisje për mbrojtje nga COVID-19

Universiteti “Haxhi Zeka” në Pejë ka shpenzuar vetëm 1 mijë euro për furnizim me pajisje për parandalimin dhe mbrojtjen nga COVID-19.

Në një përgjigje për KALLXO.com, Universiteti “Haxhi Zeka” ka thënë se në një vlerë prej 1 mijë euro është furnizuar me 125 dezinfektues për duar për të gjitha sallat e mësimit, 10 termometër me laser për matje të temperaturës, 70 shenja për mbajtjen e distancës 1.5 metërshe dhe vendosjen e 15 shenjave për mbajtjen e maskave, blerjen e 350 maskave mbrojtëse të cilat janë shpërndarë tek zyret që kanë pasur punë me palë, përkatësisht zyrtarët për çështje studentore në pesë njësitë akademike.

“Universiteti ka ndërmarr të gjitha veprimet lidhur me menaxhimin e situatës së krijuar nga pandemia COVID-19, sipas rekomandimeve dhe vendimeve të Qeverisë së Republikës së Kosovës, duke vendosur në të gjitha hyrjet e objekteve të saj aparate për dezinfektimin e duarve, shenja për bartjen e obligueshme të maskës dhe mbajtjes së distancës së detyrueshme”, thuhet në përgjigjen e Universitetit për KALLXO.com.

Universiteti më tej ka njoftuar se ka kontraktuar një kompani për një periudhë një vjeçare që çdo muaj të bëjë mbushjen e aparateve për dezinfektim për një çmim prej 315 euro në muaj.

Po ashtu Universiteti “Haxhi Zeka” në Pejë ka treguar se ka bërë dezinfektimin në tërësi të objekteve në vlerë prej 4 mijë eurove.

Ata kanë thënë se janë në përgatitje të tenderit për dezinfektimin në tërësi të objekteve të UHZ-së, ku pas përfundimit të procedurave të tenderimit, kompania e kontraktuar për 3 vite do të bëjë dezinfektimin në periudha të rregullta për çdo 6 muaj.

Që nga muaji nëntor i vitit 2020, KALLXO.com është duke monitoruar respektimin e masave anti-COVID nëpër 7 universitetet publike të Kosovës. Gjatë kësaj kohe monitoruesit e KALLXO.com kanë vërejtur se disa nga masat e përcaktuara me vendimet e Qeverisë dhe “Manualin për mbrojtje nga përhapja e COVID-19” nuk janë respektuar nëpër fakultetet e universiteteve publike në Kosovë.

Më 11 shkurt, Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që studentët të mos e mbajnë më mësimin online por të vazhdojnë mësimin fizikisht nëpër objektet e fakulteteve.

Gjatë monitorimeve është vërejtur që nëpër klasat e fakulteteve ka pasur probleme me shenjimin e distancës së uljes së studentëve nëpër klasa. Po ashtu, ka pasur shkelje edhe në pajisjet me dezinfektues në hyrje të fakulteteve e me material higjienike nëpër banjot.

Në disa fakultete po ashtu është vërejtur edhe mungesë e termometrit në hyrje të fakulteteve.

Qeveria e Kosovës ka vendosur që mësimi në institucionet e arsimit të lartë të zhvillohet me prani fizike.

“Studentët do të vazhdojnë ligjëratat në objektet e fakulteteve, me prani fizike dhe jo online”, thuhet në vendimin e Qeverisë.

Është bërë e ditur se procesi arsimor në të gjitha institucionet e arsimit të lartë, publik dhe privat, si dhe provimet, punët praktike dhe laboratorike të organizohen sipas plan-programit të institucioneve përkatëse në përputhje me “Manualin për mbrojtje nga përhapja e COVID-19″.

Sipas institucioneve shëndetësore, COVID-19 është sëmundje ngjitëse e cila transferohet te tjetri përmes spërklave të cilat përhapen në ajër përmes të folurit, kollitjes apo teshtitjes. Ky virus nisi të përhapet në fund të vitit të kaluar. Po ashtu sipas institucioneve bartja e maskave, mbajtja e distancës sociale prej së paku 1.5 metra dhe higjiena personale janë mënyra më e mirë për mbrojtje nga infeksioni COVID-19.

Pikëpamjet e shprehura në këtë publikim janë të BIRN dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohen si qëndrim i Fondacionit të Kosovës për Shoqëri të Hapur.