Universiteti i Mitrovicës "Isa Boletini"

Universiteti i Mitrovicës lejon studentët pa maska (FOTO)

Në Universitetin e Mitrovicës “Isa Boletini”, studentët po lejohen të lëvizin edhe pa maska mbrojtëse nëpër hapësirat e brendshme.

Të premten, ekipi i KALLXO.com ka vizituar hapësirat e universitetit ku ka hasur në studentë të cilët nuk kanë qenë duke bartur maska ose nuk i kanë mbajtur ato në formën e duhur.

KALLXO.com ka kërkuar sqarime nga Universiteti i Mitrovicës “Isa Boletini, se pse janë lejuar studentët  pa maska, duke e rrezikuar kështu shëndetin publik për shkak të mundësisë së kontakteve me studentë të tjerë dhe përhapjes së COVID-19.

Universiteti i Mitrovicës përmes një përgjigje me e-mail ka thënë se e kanë të pamundur monitorimin e të gjithë studentëve.

“Studentët janë të informuar për masat që duhet të respektojnë, meqë njoftimet janë të vendosura në të gjitha hapësirat universitare. Megjithatë është e pamundshme që ata të përcjellën në çdo hap të tyre, duke pasur parasysh se objektet universitare kanë një hapësirë shumë të madhe”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Më tej ata kanë ripërsëritur se mësimi është duke u mbajtur online sipas vendimit të institucioneve qendrore për të parandaluar përhapjen e COVID-19.

Në rastet e tjera specifike, sikur provimet apo ndonjë angazhim tjetër, studentët vijnë në objektet universitare.

Në anën tjetër, përmes përgjigjes ata kanë treguar se në secilin fakultet, përgjegjës për monitorimin e respektimit të masave anti-COVID-19 janë sekretarët, ndërsa në nivel universiteti është zyrtari për Infrastrukturë dhe Menaxhim të Objekteve, Driton Presheva.

KALLXO.com gjithashtu gjatë vizitës të premten në këtë universitet ka kërkuar informacione nëse nëpër fakultetet përkatëse ka shenja të vendosura për ruajtje të distancës si dhe respektimit të saj nga ana e studentëve si dhe stafit.

Sipas përgjigjeve të marra gjata vizitës, shenjat për ruajtje të distancës janë të vendosura vetëm në afërsi të sallave ndërsa nuk ka shenjëzim as nëpër klasa e as në korridore.

Posterët me udhëzimet për masat mbrojtëse janë të vendosura jashtë dhe brenda objektit kurse dezinfektuesit janë vendosur në secilin kat të universitetit.

Sipas vendimit të Qeverisë së Kosovës, procesi mësimor në të gjitha institucionet e arsimit të lartë, publik dhe privat, organizohet në formën online, ndërsa provimet, puna praktike dhe laboratorike organizohen duke respektuar të gjtiha rekomandimet e IKShPK-së dhe MSh-së. Ky vendim do të shqyrtohet vazhdimisht, varësisht nga situata e COVID-19 në Kosovë.

Coronavirusi apo COVID-19 është sëmundje ngjitëse e cila transferohet te tjetri përmes spërklave të cilat përhapen në ajër përmes të folurit, kollitjes apo teshtitjes. Ky virus nisi të përhapet në fund të vitit të kaluar.

Bartja e maskave, mbajtja e distancës sociale prej së paku 1.5 metra dhe higjiena personale janë mënyra më e mirë për mbrojtje nga infeksioni COVID-19.

Pikëpamjet e shprehura në këtë publikim janë të BIRN dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohen si qëndrim i Fondacionit të Kosovës për Shoqëri të Hapur.