Universiteti i Gjakovës. Foto: Kallxo.com

Universiteti i Gjakovës ka shpenzuar rreth 6 mijë euro për materiale anti-COVID

Universiteti i Gjakovës “Fehmi Agani” ka shpenzuar afërsisht 6 mijë euro për blerjen e materialeve mbrojtëse ndaj COVID-19.

Në përgjigjen e Universitetit për KALLXO.com thuhet se përveç mjeteve të shpenzuara kanë planifikuar shpenzimin edhe të 3 mijë eurove për furnizim të vazhdueshëm me dezinfektues për duar.

“Prej fillimit të pandemisë, UFAGJ në total ka shpenzuar gjithsej 5,865.60 euro. Ndërsa prej muajit shtator deri me tash janë shpenzuar në total 3,498 euro”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Universiteti i Gjakovës ka treguar se ka ngritur shtabin emergjent për parandalimin e përhapjes së COVID-19, kanë vendosur shenja në rektorat dhe njësi akademike, për mbajtjen e distancës, mbajtjen e maskës dhe mbajtjen e higjienës së duarve.

Po ashtu kanë thënë se kanë bërë blerje të mjeteve mbrojtëse si: maska, termometra për matjen e temperaturës, dezinfektues dhe aparate për dezinfektim, kanë bërë disa herë dezinfektimin e hapësirave të brendshme të Universitetit si dhe kanë financuar aktivitete promovuese për parandalimin e COVID-19.

Universiteti “Fehmi Agani” ka parashikuar të realizojë edhe dy projekte ne bashkëpunim me partnerë ndërkombëtarë në shumën prej 2 mijë e 773 euro.

KALLXO.com ka raportuar se Universiteti i Gjakovës ka blerë materiale higjienike kundër COVID-19 dhe materiale të tjera edukative-arsimore në vlerë 2,758 euro.

Përmes kontratës janë blerë 23 produkte të ndryshme, higjienike dhe edukative-mësimore. Universiteti ka blerë materialet higjienike kundër COVID-19: sapun i lëngshëm për duar,  sapun i ngurtë për duar, shampo për flokë, detergjent për rroba 8 kg, detergjent për enë 850 ml, peceta higjienike , shampo për dysheme 1 litër, domestos 1 litër, vim i lëngshëm 450 ml – 180 dhe letër tualeti.

Po ashtu, KALLXO.com ka raportuar edhe për blerjen e pajisjeve me senzorë për dezinfektimin e duarve si masë parandaluese kundër COVID-19 në vlerë 3 mijë e 696 euro. Universiteti me këtë blerje ishte furnizuar me 7 aparate me senzorë të dezinfektimit dhe dezinfektues të lëngshëm për duar.

Që nga muaji nëntor i vitit 2020, KALLXO.com është duke monitoruar respektimin e masave anti-COVID në 7 universitetet publike të Kosovës. Gjatë kësaj kohe monitoruesit e KALLXO.com kanë vërejtur se disa nga masat e përcaktuara me vendimet e Qeverisë dhe “Manualin për mbrojtje nga përhapja e COVID-19” nuk janë respektuar nëpër fakultetet e universiteteve publike në Kosovë.

Më 11 shkurt, Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që studentët të mos e mbajnë më mësimin online por të vazhdojnë mësimin fizikisht nëpër objektet e fakulteteve.

Gjatë monitorimeve është vërejtur që nëpër klasat e fakulteteve ka pasur probleme me shenjimin e distancës së uljes së studentëve nëpër klasa. Po ashtu, ka pasur shkelje edhe në pajisjet me dezinfektues në hyrje të fakulteteve e me material higjienike nëpër banjo.

Në disa fakultete po ashtu është vërejtur edhe  mungesë e termometrit në hyrje të fakulteteve.

Qeveria e Kosovës ka vendosur që mësimi në institucionet e arsimit të lartë të zhvillohet me prani fizike.

“Studentët do të vazhdojnë ligjëratat në objektet e fakulteteve, me prani fizike dhe jo online”, thuhet në vendimin e Qeverisë.

Është bërë e ditur se procesi arsimor në të gjitha institucionet e arsimit të lartë, publik dhe privat, si dhe provimet, punët praktike dhe laboratorike të organizohen sipas plan-programit të institucioneve përkatëse në përputhje me “Manualin për mbrojtje nga përhapja e COVID-19″.

Sipas institucioneve shëndetësore, COVID-19 është sëmundje ngjitëse e cila transferohet te tjetri përmes spërklave të cilat përhapen në ajër përmes të folurit, kollitjes apo teshtitjes. Ky virus nisi të përhapet në fund të vitit të kaluar. Po ashtu sipas institucioneve bartja e maskave, mbajtja e distancës sociale prej së paku 1.5 metra dhe higjiena personale janë mënyra më e mirë për mbrojtje nga infeksioni COVID-19.

Pikëpamjet e shprehura në këtë publikim janë të BIRN dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohen si qëndrim i Fondacionit të Kosovës për Shoqëri të Hapur.