Universiteti i Gjakovës blen pajisje me senzorë për dezinfektim të duarve

Universiteti i Gjakovës “Fehmi Agani” ka nënshkruar kontratë në vlerë 3 mijë e 696 euro për furnizim me pajisje me senzorë për dezinfektimin e duarve si masë parandaluese kundër COVID-19.

Universiteti do të furnizohet me 7 aparate me senzorë të dezinfektimit dhe dezinfektues të lëngshëm për duar.

Kjo kontratë është nënshkruar më 2 dhjetor dhe do të zgjasë 12 muaj.Tenderin e ka fituar  kompania “Alb Consulting” përmes kuotimit të çmimit.

Universiteti i Gjakovës përmes kësaj kontrate ka kontraktuar për 1 vit sigurimin dhe montimin e spërkatësit me senzorë për dezinfektimin e duarve, me mbushje permanente të pajisjes me dezinfektues, për shfrytëzim mujor.

Njoftimi për këtë kontratë nga Universiteti i Gjakovës është bërë në fillim të muajit tetor.

Para një muaji, Komuna e Gjakovës kishte marrë në shfrytëzim aparate me senzorë në vlerë prej 49,140 euro nga e njëjta kompani.

Përmes kontratës së muajit të kaluar, Komuna e Gjakovës kishte marrë aparate për 46 shkollat e komunës, Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare, Drejtorinë e Arsimit dhe në Administratën Komunale.

Përmes kontratës janë vendosur 91 spërkatës me senzorë për dezinfektimin e duarve nga grupi i operatorëve ekonomik fitues “Alb Consulting” & “Fresh-C.O”.

Përderisa në të gjitha shkollat do të vendoseshin nga 1 ose 2 pajisje me senzorë, në QKMF do të vendosen 22 pajisje kurse në administratën komunale do të vendosen 9 të tilla.

Pikëpamjet e shprehura në këtë publikim janë të BIRN dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohen si qëndrim i Fondacionit të Kosovës për Shoqëri të Hapur.