Unifikimi i Trafikut Urban nga komuna e Prishtinës, protestojnë kompani të Podujevës

Pjesëtarë të shoqatës së autobusëve ‘Llapi’ të linjës Podujevë-Prishtinë po protesojnë në shenjë pakënaqësie ndaj vendimit të komunës së Prishtinës për sistem të unifikuar të trafikut urban, përfshirë operatorët privat që lidhin fshatra të komunës.

Sipas tyre, ky vendim i komunës i dëmton ekonomikisht.

Si shenjë proteste, pronarët e autobusëve të linjës Podujevë-Prishtinë nuk i kanë lejuar të qarkullojnë autobusët që janë të komunës së Prishtinës.

Pronari i kompanisë ‘Besart Lines’ që mban linjën 15 Prishtinë-Sharban, e cila ka lidhur marrëveshje me komunën e Prishtinës, thotë se kompanive të Podujevës i’u bën konkurrencë çmimi i biletës kthyese 80 cent.

“I dëmton Podujevën sepse Prishtina e ka bërë 80 cent biletën kthyese, e nuk hip manej askush me ta. Neve na paguan me kontratë komuna, ata biletën deri në Llugjan e kanë 80 cent, këtu është problemi. Dihet se ka konkurrencë, kjo është marrëveshje e komunës me BERZH”- tha Salih Asllani.

“Linjat e Podujevës janë në vijë të Ministrisë, ne jemi me komunë. Podujeva është e vetmja që kanë hyrë deri në qytet, tash nuk i lejojnë”- shtoi tutje ai.

Nga 02.01.2025 qytetarët e Kryeqytetit kanë sistem të unifikuar të transportit publik urban, me bileta të integruara ditore, javore dhe mujore për të gjitha linjat, përfshirë operatorët privatë që po ashtu operinë sipas këtyre kushteve.

Çmimet e biletave sipas këtij vendimi që aplikohen edhe në linja që lidhin fshatrat me qytetin janë si në vijim:

  • 0.50 cent për një udhëtim të vetëm.
  • 0.80 cent për biletën ditore (vlefshme për të gjitha linjat).
  • 4 euro për biletën javore.
  • 12 euro për biletën mujore për studentë.
  • 13,50 euro për biletën mujore për qytetarë.

Një biletë e tillë mund të përdoret brenda 12 orëve në secilën linjë të trafikut urban.

Kallxo.com ka kërkuar deklarim edhe nga Komuna e Prishtinës si dhe përfaqësues të Trafikut Urban, por deri në publikim të këtij lajmi nuk është dhënë përgjigje.