UNICEF ndihmon MSh-në me 3.6 ton pajisje mbrojtëse për punëtorët shëndetësor

Zyra e UNICEF-it në Kosovë kanë ndarë pajisje profesionale mbrojtëse dhe mjekësore për sistemin shëndetësor në kuadër të reagimit ndaj krizës aktuale të coronavirusit.

UNICEF-i ka bërë të ditur se sot, 3.6 ton furnizime janë dërguar në Ministrinë e Shëndetësisë për të mbështetur punonjësit shëndetësor në vijën e parë të luftës kundër COVID-19 në Kosovë.

Këto ndihma përfshijnë 36,200 dorëza, 33,600 maska kirurgjike, 2,700 maska me mbushje të dendur, 1000 kominoshe për mbrojtje, 8,960 mantele, 2,800 përparëse mbrojtëse.

Shefi i zyrës së UNICEF-it, Murat Sahin deklaroi se janë në dijeni se nevojitet ndihmë e menjëhershme.

“Zyra e UNICEF-it në Kosovë ka qenë në gjendje të reagojë shpejt, duke dërguar furnizime me pajisje parandaluese që shpëtojnë jetë për punonjësit shëndetësorë të vijës së pare edhe në këtë kohë kur logjistika është jashtëzakonisht sfiduese”, është shprehur ai.

Sahin ka shtuar se do të vazhdojnë mbështetjen me metoda kreative në mënyrë që të rinjtë dhe fëmijët në Kosovë t’i tejkalojnë sfidat që janë paraqitur si pasojë COVID-19.

UNICEF-i në një komunikatë mes tjerash ka thënë se po e luftojnë virusin, po i demantojnë mitet dhe po e luftojnë keqinformimin.

“UNICEF-i po punon për të ndihmuar në parandalimin e përhapjes së virusit. Ne po ndajmë informacione të sakta se si të mbahen familjet të sigurta, po ofrojmë pajisje mjekësore për klinikat shëndetësore dhe pajisje higjienike për familjet në nevojë dhe po e zvogëlojmë ndikimin e përhapjes së virusit në qasjen e fëmijëve në shëndet, arsim dhe shërbime sociale”, thuhet në këtë njoftim.

Që nga fillimi i përhapjes së virusit, Zyra e UNICEF-it në Kosovë thekson se ka lidhur partneritet me Kryqin e Kuq të Kosovës dhe autoritetet komunale për shpërndarjen e 12 mijë pakove të higjienës familjare për familjet më në nevojë.

“Shpërndarja e pakove është koordinuar ngushtë me partnered për të identifikuar dhe mbështetur familjet që jetojnë në varfëri ekstreme dhe në zonat më të largëta të Kosovës. Pakotë e higjienës familjare janë shpërndarë gjithashtu edhe për komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian si dhe për komunat e banuara nga komuniteti serb në Kosovë”, vijon njoftimi.

Zyra e UNICEF-it në Kosovë thekson se po punon me donatorë dhe partnerë për të mbështetur dhe ndihmuar fëmijët dhe familjet e prekura nga pandemia.

Deri më tani në Kosovë janë konfirmuar 126 raste me coronavirus, është shënuar 1 vitkimë dhe 10 persona janë shëruar.