UNICEF, ia dorëzon Ministrisë së Shëndetësisë 1 mijë e 344 transportues të vaksinave

UNICEF-i në partneritet me Ambasadën Britanike në Kosovë dhe Qeverinë e Luksemburgut dhuruan një donacion prej 1 mijë e 344 transportuesish të vaksinave për imunizim të rregullt që do të kontribuojnë në forcimin e programit të vaksinimit në Kosovë.

“Transportuesit e vaksinave janë pjesë e mbështetjes së UNICEF-it për ta forcuar infrastrukturën që ka të bëjë me zinxhirin e ftohtë në Kosovë. Në saje të këtyre transportuesve, ekipet mobile të punonjësve shëndetësorë do të jenë në gjendje të ofrojnë shërbime të imunizimit për komunitetet dhe fëmijët që janë vështirë për t’u arritur, si p.sh.: fëmijët nga zonat rurale, fëmijët nga komunitetet jo-shumicë dhe ata fëmijë që jetojnë me aftësi të kufizuara ose larg qendrave shëndetësore”, thuhet në komunikatën e lashuar nga UNICEF.

Sipas komunikatës këta transportues do të përdoren gjithashtu nga mjekët dhe infermierët e vijës së frontit për shpërndarjen e vaksinave COVID-19 në Kosovë, ku është planifikuar që të vaksinohen rreth 4 mijë e 500 persona gjatë fazës së parë dhe 360 mijë persona gjatë fazës së dytë.

“Institutit të Shëndetësisë Publike të Kosovës dhe 191 institucioneve shëndetësore në nivel rajonal dhe lokal do t’u dhurohen transportuesit e vaksinave”, thuhet tutje.

UNICEF ka dhënë shpjegim se cfarë janë transportuesit e vaksinave.

Unicef ka shpejguar se transportuesit e vaksinave përdoren për transportimin e vaksinave në vendin ku do të administrohen ato.

“Transportuesit e vaksinave janë kuti të izoluara që përdoren për transportimin e një numri të kufizuar të ampulave dhe holluesve të vaksinës nga depoja më e afërt në vendin e vaksinimit, për ruajtjen e ampulave në vendin ku do të bëhet vaksinimi dhe kthimin e ampulave të papërdorura, ampulave që janë përdorur pjesërisht apo plotësisht, në pikën e zinxhirit të ftohtë po atë ditë. Transportuesit janë të mbushur me katër pako akulli dhe mund ta mbajnë temperaturën e ruajtjes nga -2OC deri në -8OC për 41 orë e 29 minuta”, thuhet në komunikatë.

Murat Sahin, Shefi i zyrës së UNICEF-it në Kosovë theksoi se “së bashku me partnerët kombëtar dhe ndërkombëtarë, do të vazhdojnë t’i mbështesin institucionet, ta forcojmë sistemin e zinxhirit të ftohtë, infrastrukturën e imunizimit dhe vaksinimin në terren në Kosovë”.

”Ambasada Britanike është e kënaqur që po mbështetë forcimin e programit të imunizimit në Kosovë, i cili u ndërpre gjatë COVID-19, për komunitetet dhe fëmijët janë të vështirë për t’u arritur. Maksimizimi i mbrojtjes për popullatën nga sëmundjet e parandalueshme është jetik në këtë kohë të vështirë. E gjithë kjo është pjesë e programit tonë me një buxhet prej 2 milion Euro në partneritet me KB-në për të forcuar qëndrueshmërinë në shëndet dhe arsim gjatë pandemisë COVID-19″ – tha Zëvendës Ambasadori Britanik, Jacob Ëebber.

Në komunikatë thuhet se UNICEF me mbështetjen e Qeverisë së Luksemburgut dhe partnerëve të vet do të vazhdojë të punojë me profesionistë shëndetësorë për të riplanifikuar imunizimin dhe për të ndërtuar edhe më mirë sistemin duke:

  • Mbështetur sistemin shëndetësor në mënyrë që Kosova të vazhdojë të ofrojë shërbime rutinore të imunizimit gjatë pandemisë COVID-19, duke iu përmbajtur rekomandimeve të higjienës dhe distancës fizike dhe duke ofruar pajisje mbrojtëse për punonjësit shëndetësorë;
  • Komunikuar në mënyrë aktive me kujdestarët përmes vizitave në shtëpi për t’ua shpjeguar se si imunizimi i plotë i fëmijës nuk duhet të ndërprehet për shkak të pandemisë;
  • Rritur shtrirjen e shërbimeve për të arritur tek komunitetet ku jetojnë disa nga fëmijët më të cenuar.