UNICEF-i dhe Ambasada Britanike furnizojnë shkollat me pako higjienike

UNICEF në bashkëpunim me Ambasadën Britanike kanë furnizuar 1 mijë e 20 shkolla dhe 1 mijë e 770 mësimdhënës me pako higjienike dhe pako për mësimdhënës.

UNICEF-i ka bërë të ditur se në partneritet me Ambasadën Britanike kanë shtuar përpjekjet për t’i përkrahur shkollat me pako higjienike dhe pako për mësimdhënës për të parandaluar përhapjen e infektimeve mes popullsisë së përgjithshme dhe sidomos në shkolla.

“UNICEF-i dhe Ambasada Britanike lansuan sot një nismë të përbashkët, ku Shefi i Zyrës së UNICEF-it në Kosovë, Murat Sahin dhe Ambasadori i Ambasadës Britanike në Kosovë, Nicholas Abbott vizituan Shkollën Fillore ‘Daut Bogujevci’ në Komunën e Fushë Kosovës dhe shpërndanë 27 pako higjienike për 16 shkolla dhe 30 pako mbrojtëse për mësimdhënësit”, thuhet në njoftim.

Sipas UNICEF, në Kosovë, njëra nga sfidat më të mëdha në sigurimin e procesit mësimor për të gjithë fëmijët ka vazhduar të mbetet varfëria gjatë periudhës së pandemisë, e cila vazhdon të mbetet dukshëm e lartë në Kosovë.

Raporti i analizës së situatës së fëmijëve dhe nënave në Kosovë, i publikuar në shkurt 2020 nga UNICEF-i, tregon se përqindja e varfërisë tek fëmijët është 23 %, ndërsa 7% e tyre jetojnë në varfëri ekstreme.

“Sigurimi i pajisjeve të shkollës dhe i pajisjeve mbrojtëse nga COVID-19 është një sfidë shtesë për këta fëmijë. Prandaj, ishte e nevojshme të krijohet një partneritet i qëndrueshëm për t’iu ndihmuar fëmijëve në nevojë”, thuhet në njoftim.

Murat Sahin, Shef i Zyrës së UNICEF-it në Kosovë thekson se “duhet të bëjmë çdo gjë që mundemi për të siguruar që shkollat do të hapen të parat dhe do të mbyllen të fundit gjatë pandemisë COVID-19”.

Ndërsa, Nicholas Abbott theksoi që “ishte kënaqësi e madhe të punojmë së bashku me UNICEF-in sot për t’iu ofruar shkollave mbështetje praktike. Në këto kohë të vështira, arsimimi dhe mirëqenia e fëmijëve mbetet prioritet dhe duhet ta kemi gjithmonë në mendje”.

Në përgjithësi, kontributi për shkollat me mbështetjen e Ambasadës Britanike përfshin 1mijë e 551 pako higjienike për 1 mijë e 20 shkolla dhe 1 mijë e 770 pako mbrojtëse për mësimdhënësit e 29 shkollave në tërë Kosovën, duke përfshirë komunat e banuara nga serbët.

UNICEF ka njoftuar se pakot higjienike për shkollat përmbajnë: sapun të lëngshëm, sanitarizues për duar, domestos, dhe termometra me rreze të kuqe.