UNICEF: Dy milionë fëmijë kanë ikur nga Ukraina, më shumë se 100 të vrarë

Deri më tani, rreth dy milionë fëmijë janë detyruar të ikin nga Ukraina – që e përbëjnë gjysmën e të gjithë refugjatëve nga lufta – tha të mërkurën Fondi i Kombeve të Bashkuara për Fëmijët.

Më shumë se 1.1 milion kanë mbërritur në Poloni, me qindra mijëra në vendet e afërta, si Rumania, Moldavia, Hungaria, Sllovakia dhe Çekia.

UNICEF paralajmëroi për një rrezik të shtuar të shfrytëzimit dhe trafikimit me fëmijët që ikin nga dhuna. Në një përpjekje për t’i shuar këto rreziqe, agjencia e OKB-së po shton “Pika blu”, të cilat janë hapësira të sigurta me një ndalesë për familjet që udhëtojnë.

Më shumë se 100 fëmijë janë vrarë në luftën Rusi-Ukrainë, thotë UNICEF, me më shumë se 130 të tjerë të plagosur.

Sot, është dita e 35 e pushtimit rus të Ukrainës – lufta e parë e madhe tokësore në Evropë në dekada. Sulmi rus mbi Ukrainën filloi më 24 shkurt, kur presidenti rus Vladimir Putin njoftoi, sipas tij, një “operacion special ushtarak” për “çmilitarizimin” e Ukrainës.

Veprimi i Kremlinit ka nxitur zemërim dhe është dënuar në gjithë botën.

Forcat ukrainase janë përgjigjur me rezistencë të ashpër ndaj luftës. Shtetet e Bashkuara dhe aleatët janë përgjigjur me sanksione të ashpra kundër Moskës duke e dënuar sulmin dhe u zotuan se do ta mbajnë Rusinë përgjegjëse për këtë luftë./CNN