UNICEF dhe Utalaya nisin projektin që nxit zhvillimin e fëmijëve

Për të ndërgjegjësuar për rëndësinë e angazhimit të fëmijëve me prindër në aktivitete që nxisin zhvillimin e fëmijëve, përfshirë leximin, ndërveprimin dhe aktivitete të ndryshme në natyrë për mirëqenien e tyre të përgjithshme, Zyra e UNICEF-it në Kosovë në bashkëpunim me Fondacionin “Utalaya” të alpinistes Uta Ibrahimi kanë filluar projektin “URRA”.

Programi i Zhvillimit të Fëmijërisë së Hershme në kuadër të UNICEF-it ofron studime shkencore për rëndësinë e momenteve të hershme në jetën e fëmijëve nga mosha 0-6 vjeç.

Këto aktivitete do të përfshijnë punëtori me fëmijë dhe prindër, ku përmirësohen aftësitë e leximit dhe shkrimit, mësim-nxënies, shprehjen e mendimeve dhe ëndrrave të fëmijëve për të ardhmen, krijimin e shprehive të shëndetshme, stimulimin për angazhim fizik të fëmijëve me planifikim ushtrimesh, socializimin, edukimin mbi tolerancën, barazinë gjinore dhe etnike etj.

“Këto vite paraqesin kohën vendimtare për zhvillimin e trurit të fëmijëve dhe këtu hyjnë gjidhënia dhe të ushqyerit e shëndetshëm,  mbrojtja dhe siguria, edukimi në fëmijërinë e hershme dhe vëmendja e përgjegjshme nga kujdestarët. Ky kombinim i natyrës dhe ushqimit vendos themelin e së ardhmes së një fëmije” thuhet në njoftimin e alpinistes Uta Ibrahimi.

Kjo iniciativë dje u zyrtarizua edhe nga ministri i Arsimit dhe Shkencës, Ramë Likaj.

Sipas Ibrahimit, statusi i ulët socio-ekonomik mund të ndikoj negativisht ne zhvillimin e fëmijëve dhe se duke u bazuar në shkallën e varfërisë në Kosovë, e cila qëndron në 18% sipas statistikave të vitit 2019, fëmijët në Kosovë kanë nevojë për mbështetje të vazhdueshme dhe programe që u mundësojnë atyre një zhvillim të shëndetshëm për të arritur potencialin e tyre të plotë.

Ky projekt ka për qëllim rritjen e vetëdijesimit të prindërve mbi rëndësinë e zhvillimit të fëmijërisë së hershme dhe parapërgatitjes për shkollë është e ulët.

“URRA” ka filluar këtë projekt në periudhën e pandemisë për shkak të pamundësisë që prindërit të i përkushtohen fëmijëve të cilët i ekspozohen pajisjeve elektronike.

“ Izolimi me rastin e pandemisë Covid-19 dhe ekspozimi i tepërt i fëmijëve ndaj pajisjeve elektronike si dhe mos angazhimi fizik, shpesh dëmtojnë zhvillimin kognitiv dhe fizik të fëmijëve. Prandaj, është më se e rëndësishme që prindërit e kujdestarët të nxiten sa më tepër për përfshirjen më  të madhe të fëmijëve në aktivitete edukative dhe fizike (sportive)” thuhet në komunikatë.

Në zyrtarizmin e iniciativës Shefi i UNICEF-it në Kosovë, Murat Shahin tha ky donacion i ofrohet plot 5 mijë familjeve ashtu që secili fëmijë të ketë mjetet e veta, dhe jo ti ri-përdor mjetet e vjetra të vëllezërve ose motrave.

“Gëzimi më i madh për mua personalisht është fakti se do të takojë fëmijë nga komunitetet e ndryshme dhe ata do të kenë rastin të inspirohen nga rrëfimi im, në gjuhën të cilën e flasin” tha Ibrahimi gjatë takimit.

Përmes këtyre librave të cilët do të dhurohen në 5 mijë familje si pjesë e pakove me materiale didaktike të përgatitura nga UNICEF, do të mbahen edhe aktivitete që zhvillohen nga ekipi i URRA’s, udhëhequr nga Uta Ibrahimi-personazhi kryesor i librit.

“URRA” fton të gjithë prindërit e fëmijët të përcjellin aktivitetet e realizuara nga projekti(të cilat mund ti përcjellni në Utalaya Facebook dhe Utalaya Instagram.

Projekti “URRA” ka mundësuar përkthimin e librit “Uta e Maleve” edhe në gjuhën rome dhe serbe, ashtu që fëmijët e prindërit e këtyre grupeve minoritare të kenë mundësinë të kuptojnë rrëfimin e alpinistes Uta dhe të inspirohen nga veprimtaria e saj e cila filloi me një ëndërr të thjeshtë si fëmijë nga ana e saj, me përkushtimin e prindërve të saj nga ana tjetër, të cilat ishin gurthemelet e ambicies dhe vendosmërisë së saj për të arritur qëllimin pavarësisht vështirësive.

Përveç kësaj është krijuar edhe libri i ri “ Uta e Maleve-Libër për Ngjyrosje” po ashtu i përshtatur dhe adaptuar në tre gjuhë. Në këtë libër përfshihen edhe detyra të ndryshme të cilat nxisin fëmijët  te krijojnë rutinë të shëndetshme trupore dhe mendore.

Ekipi i “Urra”-s, planifikon të vizitojë shkolla, qendra dhe grupe të ndryshme të fëmijëve dhe prindërve në të gjitha komunat e Kosovës, duke u fokusuar në vizitat e komuniteteve të cenueshme.