Harta e Afganistanit. Foto: REL

UNHCR: Afganistani është në prag të krizës humanitare

Kombet e Bashkuara paralajmëruan se Afganistani është “në prag” të një krize të re humanitare, si pasojë e intensifikimit të luftimeve midis militantëve talibanë dhe forcave qeveritare.

Agjencia për Refugjatë e OKB-së (UNHCR) tha se gjithnjë e më shumë afganë ka të ngjarë të largohen nga shtëpitë e tyre, për shkak të përshkallëzimit të dhunës.

“Afganistani është në prag të një krize tjetër humanitare. Kjo mund të shmanget. Kjo duhet të shmanget”, tha zëdhënësi i UNHCR-së, Babar Baloch, në një konferencë për media në Gjenevë.

“Dështimi për të arritur marrëveshje për paqe në Afganistan dhe për të ndaluar dhunën aktuale, do të çojë në zhvendosje të mëtejshme brenda vendit, si dhe në vendet fqinje dhe më gjerë”, tha Baloch.

Sipas UNHCR-së, rreth 270,000 afganë janë zhvendosur brenda Afganistanit qysh në muajin janar, duke çuar numrin total të të zhvendosurve në mbi 3.5 milionë.

“I bëjmë thirrje bashkësisë ndërkombëtare që të rrisë mbështetjen për Qeverinë dhe popullin e Afganistanit dhe fqinjët e tij në këtë moment kritik”, tha Baloch.

Luftimet midis talibanëve dhe forcave afgane janë intensifikuar prejse forcat ndërkombëtare kanë nisur tërheqjen zyrtare nga Afganistani më 1 maj.

Që nga ajo kohë, militantët kanë marrë nën kontroll rreth një të tretën e qarqeve të Afganistanit, duke rritur frikën se Qeveria në Kabul mund të kolapsojë.

Forcat ndërkombëtare kanë qenë të pranishme në Afganistan për njëzet vjet.

Ndonëse pas ndërhyrjes së tyre në vitin 2001, regjimi taliban është rrëzuar, militantët i kanë vazhduar sulmet dhe luftimet në zona të ndryshme të këtij vendi./REL