Xhubleta, Foto; UNESCO

UNESCO merr në mbrojtje xhubletën shqiptare

“Xhubleta” – veshja tradicionale 4 mijë vjeçare e cila prezanton kulturën shqiptare ka arritur të bëhet pjesë e Organizatës e Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë UNESCO-s, duke u shtuar në Listën e Trashëgimisë Kulturore jomateriale të njerëzimit.

Kjo veshje e dizajnuar në trajtë këmbane dhe valëzuar mes rripash me ngjyra të ndezura prezanton pasurinë kolektive të trashëguar nga ilirët, e përcjellë nga malësoret e viseve shqiptare dhe deri tek ruajtja e shqiponjës si dëshmi qendrore që kultivoi dhe ruajti simboliken e idesë kombëtare ndër vite.

Veshja tradicionale shqiptare u propozua nga Ministria e Kulturës shqiptare, ndërsa të martën arriti të hyjë në listën e trashëgimisë botërore.

Ministria e Kulturës së Shqipërisë, Elva Margati, ka theksuar se xhubleta e lashtë 4 mijë vjet është pasuri për gjithë njerëzimin.

“Pas një pune të gjatë, plot përkushtim të një grupi të madh bashkëpunëtorësh, dosja e dijebërjes artizanale të xhubletës u pranua në listën e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale nën mbrojtjen UNESCO-s, Xhubleta shqiptare, e lashtë 4 mijë vjet, tashmë është pasuri e gjithë njerëzimit”- ka thënë ministrja Margati.

Kjo arritje është konsideruar një lajm i bukur edhe nga kreu i Shqipërisë, Edi Rama, në kohën kur po festohet 110 vjetori i Pavarësisë së Shqipërisë.

“Mirëmëngjes, dhe me lajmin si s’ka më bukur, të shpalljes së Xhubletës Shqiptare trashëgimi kulturore botërore nga UNESCO bash në 110-vjetorin e pavarësisë, ju uroj një ditë të mbarë”- ka uruar Rama shqiptarët përmes profilit të tij në faceboook.

Më 29 nëntor, ministrja e Kulturës e Shqipërisë, Elva Margariti, vlerësoi vendimin e UNESCO-s për të përfshirë veshjen tradicionale shqiptare në Listën e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale.

Xhubleta është përdorur kryesisht nga gratë në veri të Shqipërisë dhe e punuar nga disa shirita leshi dhe me formë zile. Shqipëria e paraqiti kërkesën në UNESCO vitin e kaluar.

“Xhubleta dikur përdorej në jetën e përditshme që nga mosha e pubertetit, duke treguar statusin social dhe ekonomik të mbajtësit. Megjithatë, përdorimi dhe prodhimi i tij kanë qenë në rënie gjatë dekadave të fundit për arsye socio-politike dhe ekonomike”, thekson faqja e UNESCO-s.

Nën mbrojtjen e UNESCO-s është marrë edhe Festivali i Shën Trifonit të Kroatëve Malazez si vallëzim zinxhir që paraqet gjithë trashëgiminë e kroatëve etnikë në Gjirin e Kotorrit në Mal të Zi, e cila u propozua nga Ministria Kroate e Kulturës dhe Medias, në bashkëpunim me shoqatat e kroatëve të Bokës në Kroaci.

Ministrja e Kulturës dhe Medias e Kroacisë, Nina Obuljen Korzinek, tha se vendimi i UNESCO-s do të shpëtonte trashëgiminë e kroatëve në Gjirin e Kotorrit.

“Kjo trashëgimi e jashtëzakonshme është dëshmi e pranisë mijëravjeçare të kroatëve në Gjirin e Kotorrit. Është e rrënjosur thellë në mentalitetin e njerëzve dhe është një pjesë e rëndësishme e jetës së tyre sot” – tha Obuljen Korzinek për mediat.

Në vendimin e saj, UNESCO tha se kroatët me origjinë nga Gjiri i Kotorrit kanë formuar komunitete të lidhura ngushtë në qytetet kroate të Rijekës, Zagrebit, Pulës, Dubrovnikut dhe Splitit që nga shekulli i nëntëmbëdhjetë, ku festojnë çdo vit festën e Shën Trifonit.

Më 16 dhjetor 2021, UNESCO shtoi trupën e vallëzimit folklorik të Marina Bokës në listën e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të Njerëzimit. Marina Boka është shtylla e festimeve vjetore të ditës së Shën Trifonit, që festohet më 3 shkurt dhe merr pjesë në festimet në qytetet bregdetare të Kotorrit, Tivarit dhe Herceg Novi-t.

Në këtë ditë, vallja mesjetare “Kolo” luhet si një ngjarje qendrore gjatë festave, e shoqëruar nga orkestra muzikore.