Vietnamezja 26 vjeçare që dyshohet të jenë në mesin e 39 personave të vdekur brenda kamionit në Angli, Foto: CNN

'Unë po vdes sepse nuk mund të marr frymë', mesazhi i vajzës që dyshohet të jetë në mesin e 39 të vdekurve në kamion

Nguyen Thi Phong dhe Pham Van Thin jetojnë në një shtëpi të vogël në Nghen, një qytet në provincën Ha Tinh të Vietnamit. Ajo ka një çati metalike të valëzuar me një flamur vietnamez që valon jashtë, raporton CNN.

Familja nuk ka shumë – ata mbledhin rreth 400 dollarë në muaj  – por thonë se ata arritën të ndajnë disa para për të paguar për vajzën e tyre, Pham Thi Tra My, për të udhëtuar në Britaninë e Madhe, ku ata shpresuan që ajo do të kishte një shans për një jetë më të mirë.

Ky udhëtim përfundoi në tragjedi. Pham Thi Tra My besohet të jetë në mesin e 39 personave të gjetur të vdekur në një kamion frigorifer në një park industrial në Grays të Anglisë.

Ajo u shkroi prindërve të saj të martën në mbrëmje, sipas kohës së Britanisë së Madhe, kur kamioni po kalonte tranzit në portin anglez të Purfleet.

“Më vjen keq babi dhe mami. Mënyra se si dola jashtë shtetit nuk ishte e suksesshme,” shkruajti 26 vjeçarja. “Mami, unë e dua shumë babin dhe ty. Unë po vdes sepse nuk mund të marr frymë. Nghen, Can Loc, Ha Tinh, Vietnam. Mami, më vjen keq, mami”.

Ende nuk është konfirmuar që Pham Thi Tra My ishte një nga viktimat në kamion, por familja e saj tha se ata kishin frikë nga më e keqja.

Autoritetet e Mbretërisë së Bashkuar janë duke punuar me homologët e tyre vietnamezë për të identifikuar viktimat, por ende nuk e kanë emëruar zyrtarisht asnjë prej tyre ose konfirmuar kombësinë e tyre.