Gisele Pelicot. Foto: AP

“Unë jam dhunues”, thotë burri që drogonte gruan para se t’ia çonte dhunuesit në shtëpi

Paralajmërim: Ky shkrim përmban detaje shqetëuese – të ndjeshme nga fillimi.

Dominique Pelicot, një burrë 71 vjeç i akuzuar se drogonte gruan e tij që ta zinte gjumi i thellë dhe rekrutoi burra që ta dhunonin atë për më shumë se dhjetë vjet, e ka pranuar fajësinë për të gjitha akuzat që ishin ngritur ndaj tij në seancën e parë më 2 shtator, raporton BBC.

Duke iu referuar 50 të akuzuarve që akuzohen për dhunimin e ish-gruas së tij, Gisele, Pelicot ka thënë: “Unë jan një dhunues sikur të tjerët në këtë sallë”.

“Ata të gjithë e dinin, nuk mund ta thonë të kundërtën”, ka thënë ai. Vetëm 15 prej 50 të akuzuarve e kanë pranuar fajësinë për dhunimin, me shumicën prej tyre që kanë thënë se kishin marrë pjesë në aktet seksuale.

 

“Ajo nuk e meritonte këtë”

Kur ka folur për ish-gruan e tij, Pelicot ka thënë: “Ajo nuk e meritonte këtë”.

Gisele, të cilës i ishte dhënë mundësia të reagonte menjëherë pas dëshmisë së ish-burrit, ka thënë: “Është e vështirë për mua ta dëgjoj këtë. Për 50 vjet,jetova me një burrë pë rtë cilin asnjëherë nuk mund ta imagjinoja se mund ta bënte këtë. I kam besuar krejtësisht”.

Megjithëse kamerat nuk janë lejuar në sallë, gjykimi ishte i hapur për publikun me kërkesë të Gisele Pelicotit, e cila edhe më parë ka thënë se nuk do e ka dert anonimitetin për shkak se dëshiron që rasti i saj të dihet botërisht që gratë e tjera të mos e pësojnë si ajo. Ekipi i avokatëve të saj kanë vlerësuar se “turpi” do të bjerë mbi të akuzuarin kryesor nëpërmjet procesit të hapur gjyqësor.

Dominique Pelicot, i cili është baba dhe gjysh, e ka nisur dëshminë duke folur për përvojat e tij traumatike në fëmijëri dhe ka thënë se ishte abuzuar prej një tekniku spitali kur ishte nëntë vjeç.

Kur është pyetur për martesën me Giselen, Dominique Pelicot ka thënë se kishte menduar vetëvrasjen kur kishte marrë vesh se ajo kishte një aferë.

Gjatë dëshmisë së tij të martën (17.09.2024), Dominique Pelicot ka përsëritur se asnjëherë nuk e kishte “urryer” gruan e tij dhe se në të vërtetë “çmendej pas saj. E kam dashur shumë dhe ende e dua”.

 

“Varësia ishte më e fortë se unë”

“E kam dashur atë për 40 vjet dhe jashtëzakonisht shumë për dhjetë vjet”, ka shtuar ai, qartazi duke iu referuar dekadës gjatë së cilës e kishte droguar dhe abuzuar seksualisht.

Ai është pyetur pastaj prej Stephane Baboneeaut, një nga avokatet e Giseles, që e ka pyetur pse nuk mundi të hiqte dorë prej abuzimit të saj, edhe atëherë kur ajo nisi të fliste për problemet e saj shëndetësore.

Në seancat e mëparshme, Gisele kishte thënë se nisi të shqetësohej se po zhvillonte sëmundjen e Alzheimerit ose ndonjë sëmundje të tumorit në tru për shkak të humbjes së peshës dhe rënies së flokëve, dhe se kishte edhe humbje të madhe kujtese. Në fakt këto ishin efektet anësore të ilaçeve me të cilat e drogonte burri i saj.

“Jam munduar të ndalem, por varësia ime ishte më e fortë, nevoja po rritej”, ka thënë ai. “Mundohesha ta siguroja, por e tradhtova besimin e saj. Është dashur të ndalesha më herët, në fakt nuk është dashur asnjëherë t’ia filloja fare”.

 

A e abuzoi edhe të bijën?

Dominique Pelicot akuzohet gjithashtu për drogim dhe abuzim të së bijës, Caroline, pasi fotografi të saj gjysmëzhveshur u gjetën në laptopin e tij. Ai e ka mohuar të martën këtë, duke theksuar se asnjëherë nuk kishte abuzuar me nipat dhe mbesat. “Unë mund ta shikoj familjen në sy dhe t’u them se asnjëherë nuk ka ndodhur asgjë tjetër”, ka thënë ai.

Dominique Pelicot ka thënë se nisi të bëhej “pervers” më 2010 kur një teknik shëndetësor e njohu në internet, dhe se sipas tij, ishte ai që i kishte sugjeruar ta drogonte gruan me qetësues, duke i shpjeguar si ta administronte dhe ndau me të fotografi të grave të droguara. “Gjithçka nisi me atë klik”, ka thënë Pelicot. “Gjithçka nisi atëherë”.

Në një pjesë të seancës të së martës, Dominique Pelicot është pyetur edhe për mijëra videot ku i kishte filmuar burrat që abuzonin me gruan e tij pa vetëdije. Ato ishin gjetur prej hetuesve dhe ishin vendimtare për t’i gjurmuar 50 burrat që tani akuzohen për dhunim.

Pelicot e ka pranuar se i kishte filmuar pjesërisht edhe për “kënaqësi”, por edhe “si siguri”.

 

“Takimi” me dhunuesit “e panjohur”

Gjatë seancës paradite, Dominique Pelicot është dukur i vendosur që të rrëzojë pretendimin e mbrojtjes të shumë prej të akuzuarve, të cilët pretendonin se nuk e “dinin” se po e dhunonin Giselen – me fjalë të tjera pretendonin se ata kishin marrëdhënie seksuale me pëlqimin e viktimës.

Dominique Pelicot ka thënë se të akuzuarit e tjerë i kishte njohur nëpërmjet një “chat roomi” të quajtur “Pa dijeninë e saj” në një uebfaqe të mbyllur që kishte materiale pornografike.

“Nuk e kam detyruar askënd, ata më kërkuan mua”, ka deklaruar ai të martën. “Ata më pyetën nëse mund të vinin, dhe unë iu thashë se po. Unë asnjëherë nuk e kam prangosur dikë ose ta kem tërhequr zvarrë”.

Disa prej tyre kanë thënë se ishin “manipuluar” prej Pelicotit duke besuar se ishin pjesë e një loje erotike në të cilën Gisele vetëm po pretendonte se ishte në gjumë, sepse i vinte turp , dhe shumë prej tyre kanë hedhur poshtë pretendimin se e dinin se po filmoheshin.

 

“Arsyeja” e xhirimit të dhunimeve

Por Dominique Pelicot ka thënë se personi i vetëm “i manipuluar” ishte gruaja e tij, dhe se burrat duhet ta kenë ditur se po filmoheshin. “Kishte një trekëmbësh dhe një ekran në të, të gjithë e shihnin me të hyrë në dhomë”.

Dominique Pelicot ka thënë se donte ta provonte se gruaja e tij “ishte viktimë dhe jo bashkëfajtore. Për ta provuar se gjithçka po ndodhte pa dijeninë e saj. E di se shumë të akuzuar e kanë kontestuar këtë”.

Beatrice Zavarro, avokat e Dominique Pelicotit, ka deklaruar për televizionin publik francez se nuk e ka ditur se çfarë mund të mendonin njerëzit për klientin e tij, porse ai “ka ndarë të vërtetën e tij”.

Ajo ka shtuar se Dominique Pelicot është “shumë i shtypur” dhe se nuk e di se çfarë do të thoshte gruaja e tij nëse ai do t’i kërkonte falje. “Dëshmia po zhvillohet dhe ai do të vazhdojë”, ka thënë ajo.

Ajo ka shtuar: “Do t’i shkojmë deri në fund këtij gjykimi dhe do të mësojmë gjithçka për Dominique Pelicotin”.

Pelicot, i cili është diagnostikuar me infeksion veshkash dhe gurë në veshka, nuk u paraqit në gjykatë pothuajse një javë për shkak të sëmundjes. Ai do të dëhsmojë gjatë gjithë ditës, megjithëse kohë pas kohe do t’i lejohet të pushojë.

 

Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com