Anton Quni: Unë do të bëj të pamundurën që të vazhdojë koalicioni

Shefi i grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Rexhep Selimi, gjatë seancës në Kuvendit të Kosovës, tha se gjatë pauzës bashkë me deputetët të tjerë të LVV-së kanë shqyrtuar “ofertën” e Anton Qunit në mënyrë që koalicioni të vazhdojë.

Por, Selimi tha se ende pa i kthyer përgjigje LVV, ish-ministri i Punëve të Brendshme, Agim Veliu ka reaguar, dhe tha se Quni nuk ka autorizim nga LDK për të thënë diçka të tillë.

“E çmojmë shumë këtë ofertë nëse mund ta quaj të tillë dhe vullnetit e tij (Anton Qunit) për të vazhduar me qeverisjen Kurti. Gjatë pauzës ne si grup parlamentar ishim duke menduar që të reflektojmë. Dhe me konsideratën për këtë ne ishim duke biseduar, para se që ne të përgjigjemi, z.Quni mori një përgjigje nga Veliu në media, i cili deklaroi se “Anton Quni nuk ka pasur autorizim për të thënë diçka të tillë, ky nuk është qëndrim i LDK, nuk ka kthim prapa, mocioni duhet të votohet”. Pra para se t’i përgjigjemi atij, iu përgjigj Veliu se ai nuk paska autorizim të flas në emër të LDK-së. Nëse atëherë dëshironi t’i hapni udhë këtij diskutimi, kemi vetëm një shans. Nëse doni zgjidhje, të votoni kundër mocioni të mosbesimit!”, tha Selimi.

Ndërsa, ministri i Mbrojtjes, Anton Quni, tha se do të bëjë të pamundurën që të vazhdojë koalicioni.

“Unë e mora një rrezik përsipër. Duke e pasur parasysh situatë, duke parë thirrjet e qytetarëve, unë jam në gjendje, që përkundër që ka personalitete në LDK që kanë rezerva , unë personalisht e marrë përsipër, që nëse ka nevojë edhe të gjunjëzohem para deputetëve, kryetarit e kryesisë dhe strukturave të LDK-së, që të tregojnë gjenerozitet në lidhje me situatën. Të njëjtën e kërkoj edhe nga ju. Unë do të bëj të pamundurën që të vazhdojë koalicioni”, tha Anton Quni.

“Ne të dy vijmë nga fusha ushtarake. Flasim shkurtë. Ju kryeni punën e juaj, tjetrën lërmani mua”, shtoi Quni.

Në një prononcim për KALLXO.com, vetë Agim Veliu deklaroi se Anton Quni nuk ka folur në emër të LDK-së.
Ai tha se mocioni duhet të ndodhë dhe të rrëzohet qeveria.

Anton Quni del me ofertë të re për Albin Kurtin për ta tërhequr mocionin