UNDP siguron maska dhe dezinfektues për Agjencinë për Ndihmë Juridike Falas

Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) në Kosovë, ka siguruar 1,750 maska dhe 190 dezinfektues për Agjencia për Ndihmë Juridike Falas në mënyrë që të vazhdohet puna e tyre.

Drejtoreshë e Agjencisë për Ndihmë Juridike Falas, Anita Kalanderi, thuhet të ketë shprehur mirënjohje për ndihmën e vazhdueshme që i ka bërë UNDP-ja.

“Agjencia për Ndihmë Juridike Falas e konsideron UNDP-në partner shumë të rëndësishëm që ka mbeshtetë ANJF-në në vazhdimësi, që nga themelimi e deri më tani. Me përkrahjen e UNDP-së iu  mundësua  qasje e barabartë në drejtësi qytetarëve në shumë komuna të Kosovës. ANJF falënderon UNDP-në  për donacionin e materialit i cili dhurohet në përkrahje të Javës për Ndihmë Juridike Falas. Ky donacion do të mundësojë mbrojtjen e zyrtarëve të Agjencisë por njëkohësisht edhe të përfituesve të ndihmës juridike falas që ia mësyejnë zyreve tona”,  ka thënë Kalanderi.

Ndërsa, Ndihmës Përfaqësuesja e Përhershme dhe Koordinatorja e Programit në UNDP, Valbona Bogujevci ka bërë të ditur se vizioni i tyre është që askush të mos mbetet pas.

“Puna e Agjencisë për Ndihmë Juridike Falas, partnerit tonë të kahmotshëm institucional,  është thelbësore në sigurimin e qasjes në drejtësi për të gjithë, sidomos për më të cenuarit. Kjo është në përputhje me vizionin tonë për të siguruar që askush të mos mbetet pas prandaj partneriteti dhe bashkëpunimi ynë me Agjencinë për të përmirësuar jetën e njerëzve është shumë i rëndësishëm”, është shprehur Bogujevci.