Ilustrim
UNDP: Në mesin e problemeve kryesore të qytetarëve në Kosovë edhe qentë endacak
Në mesin e më shumë se 30 problemeve që cilësohen si ndër më kryesoret për qytetarët në Kosovë, gjendet edhe problemi me qentë endacak.
Kështu ka rezultuar nga anketimi i më shumë se 1 mijë qytetarëve që iu janë përgjigjur pyetjeve të Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) në Kosovë.
Të dhënat nga ky anketim më pas u prezantuan në edicionin e 26-të të Përmbledhjes të Pulsit Publik.
Të dhënat e anketës së majit të vitit 2024 kanë treguar se varfëria (16.6%), papunësia (16.3%) dhe çmimet për furnizimet esenciale (12.7%) janë identifikuar si tre problemet kryesore me të cilat po përballet Kosova.
Ndërsa qentë endacak (1.2%) renditen bashkë me problemin e rasteve të pazbardhura të vrasjeve e me furnizimin me ujë.
Anketimi i UNDP-së ka bërë të ditur se shërbimet e kujdesit shëndetësor (7.8%) dhe mjedisi (5.6%) kanë qenë ndër pesë problemet kryesore.
UNDP në raport tha se përqindja e të anketuarve që e kanë vlerësuar varfërinë si problem madhor ka rënë për 12 pikë të përqindjes, krahasuar me anketën e nëntorit të vitit 2023, kur varfëria (28.6%) është vlerësuar si problem madhor.
Në vend të kësaj, përqindja e të anketuarve që e kanë parë papunësinë si problemin madhor kryesor është ulur për 2.9 pikë të përqindjes krahasuar me nëntorin e vitit 2023 (19.2%).
Përqindja e të anketuarve që i kanë parë çmimet për furnizimet esenciale si problem madhor është rritur me 3.8 pikë të përqindjes (12.7% në maj të vitit 2024, krahasuar me 8.9% në nëntor të vitit 2023).
Të dhënat e zbërthyera sipas gjinisë kanë treguar se gratë e kanë renditur papunësinë si çështjen më madhore kryesore (18%) dhe varfërinë (17.8%) si çështje madhore të dytë, krahasuar me burrat, të cilët varfërinë (15.3%) e kanë renditur si çështjen më madhore, ndërsa papunësinë (14.7%) si çështje madhore të dytë.
Të dhënat e zbërthyera etnikisht kanë treguar se papunësia renditet si problemi madhor kryesor për 16.8% të shqiptarëve të Kosovës, ndërsa varfëria renditet si problemi madhor kryesor për 15.2% të serbëve të Kosovës dhe 19.5% të komuniteteve të tjera të Kosovës.
Përderisa varfëria renditet si problemi i dytë më urgjent për 16.6% të shqiptarëve të Kosovës, problemet e hapësirës urbane renditen si problemi madhor i dytë për 13.8% të serbëve të Kosovës, ndërsa energjia renditet si problemi madhor i dytë për 14.2% të komuniteteve të tjera të Kosovës.
Sipas UNDP-së ky raport që më shumë se 20 vite ka ndihmuar që institucioneve dhe akterëve të Kosovës t’u ofrohen të dhëna të paanshme dhe të besueshme për treguesit kryesorë në lidhje me perceptimin e qytetarëve për çështjet socioekonomike, politike, të sigurisë dhe ato mjedisore.
UNDP tha se mostra e këtij anketimi përfshin të njëjtin numër të burrave dhe grave nga të gjitha komunat dhe rajonet e Kosovës, duke mbuluar si zonat urbane ashtu edhe ato rurale.
Ndërsa sa i përket përfaqësimit etnik, mostra përfshinte 896 shqiptarë të Kosovës, 210 serbë të Kosovës dhe 200 anëtarë të komuniteteve të tjera të Kosovës, pra ashkali, boshnjakë, egjiptianë, goranë, romë dhe turq të Kosovës.
Raportin e plotë të Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) në Kosovë mund ta gjeni duke klikuar KËTU.