UNDP lanson Pulsin Publik 'Korrelacioni midis Tregut të Punës në Kosovë dhe Emigrimit'

Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) në Kosovë do të lansojë sot analizën e Pulsit Publik “Korrelacioni midis Tregut të Punës në Kosovë dhe Emigrimit”.

Sipas njoftimit të tyre, lansimi virtual do të bëhet duke filluar nga ora 14:00, ku meqë rast do të bëhet një prezantim i gjetjeve dhe një diskutim me përfaqësues të institucioneve dhe të sektorit privat të cilët janë të ftuar të marrin pjesë në këtë ngjarje.

“Analiza e Pulsit Publik u realizua me një anketë sasiore përfaqësuese me 201 biznese (prej 12 mars deri më 2 prill), dhe 17 intervista gjysmë të strukturuara me përfaqësues të disa institucioneve dhe organizatave në Kosovë (6 – 28 prill). Ky publikim i Analizës së Pulsit Publik eksploron lidhjen midis tregut të punës në Kosovë dhe emigracionit”, thuhet në komunikatën e UNDP-së.

Në ngjarje do të marrin pjesë mbi tridhjetë të ftuar ku, ndër panelistë të këtij lansimi virtual, do të jenë edhe Joshua Mike, Drejtori i Zyrës për Rritje Ekonomike nga USAID, Ramë Likaj, Ministër i Arsimit dhe Shkencës; Berat Rukiqi, President i Odës Ekonomike të Kosovës; si dhe ekspertë të tjerë të fushës.

Këto janë disa nga gjetjet kryesore të raportit:

  1. Metodat joformale të reklamimit të vendit të punës janë ende të zakonshme në Kosovë. Rreth 44% të të gjitha kompanive të intervistuara deklaruan se mënyra kryesore e shpërndarjes së informacionit për vendet e lira të punës është përmes miqve dhe duke e përcjellë gojarisht, ndërsa 39% përdorin mediat sociale. Vetëm disa kompani përdorin platformat online për punësim (12%) ose agjencitë e punësimit (2%) si mënyrën kryesore për reklamim.
  2. Përvoja dhe aftësitë e punës janë dy faktorët më të rëndësishëm dhe aspektet më sfiduese gjatë punësimit të stafit të ri. Gati dy në tre kompani kanë punësuar punonjës më pak të kualifikuar (63%) ose kanë caktuar detyra shtesë për stafin aktual (19%) kur nuk kanë gjetur punonjës të rinj me kualifikime të dëshiruara.
  3. Shkathtësitë gjuhësore, analitike dhe teknike – janë tri aftësitë kryesore që u perceptuan nga kompanitë si më të vështirat për t’i gjetur në Kosovë.
  4. Shumica e kompanive thanë se ua paguajnë kontributet pensionale të gjithë punonjës të tyre me 5% të pagës së tyre bruto, në Fondin e Kursimeve Pensionale të Kosovës (81%). Sektori i bujqësisë u dallua me 27%, të cilët deklaruan se kompania e tyre nuk i paguan kontributet pensionale. Ndërsa niveli i përgjithshëm i kompanive që nuk paguajnë këto kontribute është 13%.
  5. Pothuajse gjysma e të gjitha kompanive të anketuara janë përballur me emigrimin e punonjësve të tyre në tre vitet e fundit (49%).
  6. Rreth 41% e të bizneseve të anketetuara deklaruan se kompanitë e tyre nuk u përpoqën t’i bindnin punonjësit nëpërmjet benefiteve shtesë, kur këta të fundit kanë vendosur të emigrojnë në një vend tjetër.

Vegëza për raportin do të jetë e disponueshme nga ora 14:00, kur edhe fillon ngjarja.

Projekti Pulsi Publik është financuar nga populli amerikan përmes USAID.