Lansimi i raportit nga UNDP për rrezikun nga korrupsioni në fushën e Noterisë

UNDP lansoi raportin mbi rrezikshmërinë nga korrupsioni në fushën e Noterisë

Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim në Kosovë, përmes projektit Mbështetje Përpjekjeve Kundër Korrupsionit ka lansuar gjetjet e Raportit mbi Vlerësimin e Rrezikshmërisë nga Korrupsioni në sektorin e noterisë në Kosovë.

LIVEUNDP lanson raportin e rrezikshmërisë nga korrupsioni në fushën e Noterisë

Publiée par Kallxo.com sur Mardi 29 octobre 2019

Arbër Sejdaj, menaxher i Projektit UNDP – SAEK II, tha se gjatë përpilimit të raportit janë fokusuar në parandalimin e korrupsionit në institucione dhe për të zvogëluar korrupsionin në institucione publike.

“Ky raport është një vegël që i ndihmon institucionet që të dinë riskun dhe rekomandimet sesi duhet parandaluar atë”, tha Sejdaj.

Katharina Stocker, drejtoreshë e Zyrës  Zvicerane për Bashkëpunim në Kosovë tha se ky vlerësim është një përpjekje kredibile që do ta ndihmojë zhvillimin e mëtutjeshëm të fushës së Noterisë në Kosovë.

“Kohëve të fundit kemi qenë dëshmitar të një pakënaqësie të publikut sa i përket përzgjedhjes së noterëve. Prandaj shpresojmë që këto rekomandime të jenë të dobishme për noterët dhe rekomandimet të realizohen”, tha Stocker.

Maria Suokko, përfaqësuese e Përhershme e UNDP-së në Kosovë, tha se pa u ballafaquar me korrupsion nuk do jemi më gjendje të arrijmë përmirësime në shëndetësi, edukimit, etj.

“Duhemi me u siguru që kemi iniciativa antikorrupsion me plane të qëndrueshme. Përkundër iniciativave korrupsioni ende mbetet sfidë. Korrupsioni prek të gjitha shtyllat e qëndrueshme. Qëllimi i vlerësimit të riskut në korrupsion është me ofru më pas rekomandime së si me ofru një integritet të qëndrueshëm dhe si të parandalohet korrupsioni”, tha ajo.

“Deri më tani SAEK ka vlerësuar 20 raporte të riskut. Përmes këtij vlerësimi ne i ndihmojnë institucionet që të rrisin transparencën dhe llogaridhënien”, ka deklaruar Suokko.

Elbasan Dervishaj, Drejtor i Departamentit për Profesione të Lira në Ministrinë e Drejtësisë deklaroi se ky raport është i një rëndësie të veçantë.

“Ministria e Drejtësisë do të mundohet që t`i realizoj në përpikëri rekomandimet siç kemi vepruar kur kemi bërë Departamentin për Profesione të Lira. Ne do të bëjmë të pamundurën që t`i mbikëqyrim këta profesionist të lirë”, tha Dervishaj.

“Sa i përket çështjes së provimit të fundit të noterisë dua ta informoj se nuk qëndrojnë pretendimet siç thuhen, por prapë se prapë Ministria e Drejtësisë nuk merr vendime pa u konsultuar me partnerët. Ne jemi jurist shumica prej nesh dhe me supozime nuk merren mendime, supozoj që është mirë ta dallojmë supozimin nga konstatimi”, tha Dervishaj tutje.

Sipas tij Noteria është në fazë shumë emergjente.

“Në disa komuna nuk ka noterë fare dhe qytetarët duhet të udhëtojnë, çka rrit koston për ta. Konsideroj që me noterinë është bërë një punë e mirë. Shpresojmë që me partnerët tanë marrëdhëniet do të jenë në rregull dhe janë në rregull. Sa i përket rekomandimeve Ministria e Drejtësisë do t`i implementojë”, deklaroi Elbasan Dervishaj nga Ministria e Drejtësisë.

Sevdije Krasniqi, anëtare e Këshillit të Odës së Noterëve të Kosovës, tha se me ndihmën dhe përkrahjen e miqve noterët arritën që për një kohë shumë të shkurtër të bëhen një faktor kyç për ofrimin e shërbimeve të shpejta dhe efikase.

“Sot oda e noterëve pas 7 vite themelimi, numëron 69 zyre noteriale dhe me afërsisht 200 të punësuar dhe me qindra – mijëra akte të kryera brenda një viti. Oda e Noterëve do t`i marrë parasysh të gjeturat dhe rekomandimet e këtij raporti”, tha Krasniqi.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi lidhur me konkursin e fundit për përzgjedhjen dhe emërimin e noterëve, proces ky i cili ishte kritikuar edhe nga diplomatët perëndimorë në Kosovë.

Ky proces është ndërprerë nga ministri në detyrë i drejtësisë Aberlard Tahiri, pas shumë thirrjeve nga organizatat e shoqërisë civile në vend dhe nga misionet e huaja.

Të gjitha raportimet mund t`i lexoni duke klikuar në LINK