UNDP-ja filloi dorëzimin e mjeteve për përkahjen e Programit të Vetëpunësimit

Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP), sot ka filluar dorëzimin e mjeteve dhe paisjeve për përfituesit e fazës së dytë të Programit të Vetëpunësimit, për vitin 2019.

Sipas një njoftimi, në një ceremoni rasti, u bë dorëzimi i mjeteve dhe paisjeve të rrobaqepësisë për Kimete Limanin, e cila si punëkërkuese e regjistruar në zyrën e punësimit në Prishtinë, ishte njëra nga përfitueset e grantit për rrobaqepësi, në kuadër të Programit të Vetëpunësimit, si një nga 22 profilet të cilat mbështeten nga ky Program.

Në këtë ceremoni ishin të pranishëm edhe Drin Haraçia, drejtor i Agjencisë së Punësimit dhe Valbona Bogujevci, Ndihmëse e Përfaqësueses së Përheshme të UNDP-së në Kosovë.

Programi i Vetëpunësimit është pjesë e bashkëpunimit të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe Agjencisë së Punësimit, që përkrahet nga UNDP dhe që ka për synim promovimin dhe zhvillimi ne sektorit privat në krijimin e vendeve të punës.

Vetëm gjatë vitit 2019, janë mbështetur mbi 260 punëkërkues të papunë, në hapjen e bizneseve të reja të themeluara në kuadër të këtij Programi.