UNDP i dhuron 25 tabletë Agjencisë për Menaxhimin e Emergjencave

Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) në Kosovë ka dhuruar sot 25 tabletë Agjencisë për Menaxhimin e Emergjencave (AME), për t’i mundësuar ekipeve në terren të AME-së si Qendrat Lokale Operative të vazhdojnë punën e tyre në mënyrë më efektive duke u mundësuar koordinim, komunikim në kohë reale dhe shkëmbim të të dhënave.

Sipas njoftimit të UNDP, mjetet e teknologjisë informative do t’u japin mundësi zyrtarëve të punojnë pashkëputje edhe nga shtëpia, do të lehtësojnë komunikimin me qytetar duke përmirësuar kështu cilësinë dhe afatin kohor të ofrimit të shërbimeve.

Gjatë pranimit të këtij donacioni, drejtori i AME, Fadil Kodra theksoi se këto mjete do të lehtësojnë komunikimin dhe koordinimin e veprimeve nga Qendrat Operative Emergjente 112 me institucionet lokale dhe organizatat ndërvepruese në menaxhim të pandemisë COVID 19.

Ndërkaq, koordinatorja e Programit në UNDP, Valbona Bogujevci deklaroi se janë të përkushtuar të mbështesin institucionet kosovare në përmirësimin e koordinimit dhe komunikimit në kohë reale të respondentëve të vijës së parë si Qendrat Lokale Operative që veprojnë 24/7.

“UNDP është e përkushtuar që në vazhdimësi të mbështes institucionet e Kosovës që edhe në kohë pandemie të vazhdojnë me ofrimin e shërbimeve në mënyrë sa më efikase. Veçanërisht në përmirësimin e koordinimit dhe komunikimit në kohë reale të respondentëve të vijës së parë si Qendrat Lokale Operative (që veprojnë) 24/7 dhe Këshillat Komunal për Zbulim dhe Shpëtim që të jenë në gjendje që në mënyrë efikase të mbrojnë jetët e njerzve”, tha Bogujevci.