UNDP dorëzon në QKUK 20 ventilatorë

Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) në Kosovë ka dorëzuar në QKUK 20 ventilatorë mobil si reagim i menjëhershëm ndaj COVID-19.

UNDP ka njoftuar se këta ventilatorë janë blerë me fonde të qeverive të Norvegjisë, Zvicrës dhe Luksemburgut.

“Ventilatorët do të ngrisin kapacitetin e kujdesit intensiv të sektorit shëndetësor të Kosovës. Për shkak të situatës aktuale kritike, ventilatorët u dërguan menjëherë në QKUK sapo arritën në Kosovë”, thuhet në njoftimin e UNDP-së.

Maria Suokko, përfaqësuesja e përhershme e UNDP-së,  Ulrika Richardson Koordinatorja e OKB-së për Zhvillim, Sh.T. Jens Erik Grøndahl, Ambasadori i Norvegjisë, Sh.T. Jean-Hubert Lebet, Ambasadori i Zvicrës  dhe Natacha Gomes, e ngarkuara me punë në Ambasadën e Dukatës së Madhe të Luksemburgut kanë shkuar në lidhje me dorëzimin e këtij donacioni për Kosovën.

“Që nga mesi i muajit mars, UNDP në Kosovë e ka vendosur luftën kundër pandemisë COVID-19 në ballë të të gjitha përpjekjeve tona – duke iu përgjigjur nevojave më urgjente dhe duke mbështetur rimëkëmbjen më afatgjate. Falënderojmë Qeveritë e Norvegjisë, Zvicrës dhe Luksemburgut për kontributet e tyre bujare që na kanë lejuar të blejmë këto pajisje që ndihmojnë në shpëtimin e jetëve. Ne do të vazhdojmë të ofrojmë gjithë ekspertizën dhe kapacitetet tona për të vazhduar të punojmë ngushtë me partnerët tanë për të mbështetur popullin dhe institucionet në Kosovë në kohë krize dhe përtej,” ka shkruar  Maria Suokko, Përfaqësuese e Përhershme e UNDP-së.

Ndërsa Ulrika Richardson, Koordinatore për Zhvillimin e OKB-së ka thënë se që nga dita e parë e pandemisë, Ekipi i OKB-së në Kosovë ka punuar së bashku me institucionet dhe njerëzit për të lehtësuar efektet e COVID-19.

“Ne u jemi mirënjohës donatorëve dhe partnerëve  kryesorë  të OKB-së për kontributin e dhënë enkas, që na ka mundësuar të sjellim pajisje dhe artikuj shëndetësor për shpëtimin e jetëve në Kosovë. Ndërsa mbështetja jonë forcon sistemet, qasja jonë i vë gjithmonë njerëzit në qendër me respektimin e të drejtave të njeriut, barazisë dhe gjithëpërfshirjes. Kosova do ta tejkalojë këtë krizë, por kërkohet një qasje e integruar ndaj veprimeve dhe masave emergjente dhe afatgjate që mundëson bashkërenditjen e institucioneve, bizneseve dhe popullatës. Po citoj Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së: “Jemi në këtë (përballje) së bashku dhe do ta tejkalojmë së bashku”, ka shkruar Richardson.

Ndërsa Jens Erik Grøndahl, Ambasador i Norvegjisë në lidhje me donacionin e UNDP-së ka thënë se Norvegjia është krenare të vazhdojë të mbështes përpjekjet e qeverisë së Kosovës kundër pandemisë Covid-19 me sigurimin e ventilatorëve që nevojiten urgjentisht për spitalet në një partneritet të paprecedent me Dukatën e Madhe të Luksemburgut, Agjencinë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim dhe Programin e Kombeve të Bashkuara për Zhvillim në Kosovë.

“Përderisa këto ndërhyrje janë reagim ndaj nevojave emergjente të shkaktuara nga COVID-19, vlen të përmendet se ventilatorët do të shërbejnë për trajtimin e pacientëve edhe me sëmundje të tjera përveç COVID-19. Numri i rasteve pozitive të COVID-19 është në rritje, të gjithë janë në rrezik të infektimit nëse janë të ekspozuar ndaj virusit, kështu që le të ndjekim me kujdes udhëzimet e lëshuara nga institucionet publike” ka shkruar Grondahl.

Ndërsa Jean-Hubert Lebet, Ambasador i Zvicrës ka shkruar se ndjehet i lumtur që  u bë dorëzimi i ngarkesës së dytë të këtyre pajisjeve të rëndësishme për të luftuar COVID-19.

“Kjo do të rrisë kapacitetin e sistemit të brishtë shëndetësor për t’u përballur me numrin e shtuar të të hospitalizuarve. Për të luftuar rishfaqjet e fundit të infeksioneve, ne inkurajojmë fuqimisht qeverinë e Kosovës që të zbatojë me urgjencë masa parandaluese, siç janë përdorimi i maskave të fytyrës, larja e duarve dhe distanca sociale, të cilat kanë rezultuar të suksesshme në të gjithë botën,” thuhet në deklaratën e tij.

Natacha Gomes, e ngarkuara me punë në Ambasadën e Dukatës së Madhe të Luksemburgut në deklaratën e saj ka theksar se “Luksemburgu vazhdon të mbështesë Kosovën në këtë kohë të vështirë dhe këta ventilatorë arrijnë në një moment kyç kur shohim një rishfaqje të lartë të infeksioneve së bashku me rritjen e nivelit të sëmundjes, duke i dhënë një tendosje sistemit të brishtë shëndetësor. Të gjithë kanë një rol të rëndësishëm në përpjekjen për të frenuar këtë valë të dytë të COViD-19. Ndërsa ne ofrojmë mbështetje, duhet të jemi në gjendje edhe të llogarisim se secili individ do të ndjek masat e përcaktuara parandaluese”.

Kontributi i përgjithshëm nga qeveritë e Norvegjisë, Zvicrës dhe Luksemburgut për blerjen e ventilatorëve mobil Vg70 është 1,17 milion dollar, në partneritet me UNDP-në.

“Falë kësaj mbështetjeje bujare, UNDP ka blerë 40 ventilatorë. Ngarkesa e parë prej 20 ventilatorësh u dorëzua më 12 qershor dhe 20 ventilatorët tjerë u dorëzuan të shtunën, më 4 korrik”, thuhet në njoftimi e UNDP.

UNDP ka bërë të ditur se ventilatorët nuk përdoren vetëm për trajtimin e pacientëve me COVID-19 por edhe për trajtim të rasteve të tjera kritike.

Ventilatori është një aparat që ndihmon frymëmarrjen gjatë operacionit, rikuperimit nga operacioni dhe kur frymëmarrja vetanake është e pamundur, kështuqë ato do të përdoren gjerësisht nga klinikat shëndetësore për të shpëtuar jetë edhe përtej pandemisë.

“Që nga shpërthimi i COVID-19, UNDP në Kosovë, si Agjenci kyçe e Ekipit të OKB-së në Kosovë (UNKT), është duke mbështetur qytetarët dhe institucionet e Kosovës që të përgatiten, t’i përgjigjen dhe të rimarrin veten nga pandemia duke u përqëndruar veçanërisht në më të prekurit. Ne kemi zhvendosur me nguti fokusin, duke reaguar me shpejtësi dhe efikasitet dhe duke riorientuar programin tonë për të ndihmuar përpjekjet e Kosovës për të ndaluar përhapjen e virusit, mbrojtjen e njerëzve nga pandemia dhe ndikimet negative gjatë  shpërthimit dhe për të ndihmuar në ripërtëritjen ekonomike dhe sociale në muajt në vazhdim”, thuhet në njoftimin e UNDP-së.