UNDP dhe UNV i dhurojnë Kuvendit të Kosovës pajisje digjitale për konferenca virtuale

Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) dhe Zyra e Vullnetarëve të Kombeve të Bashkuara (UNV) i kanë dhuruar pajisje digjitale për mbajtjen e video- konferencave Kuvendit të Kosovës.

Maria Suokko, Përfaqësuese e Përhershme e UNDP, ka thënë se përmes këtij donacioni shpreson në forcimin e kapaciteteve të Kuvendit.

“Transformimi digjital ka kaluar nga të qenit një opsion në një prioritet. Shpresojmë që dhurimi i këtyre mjeteve digjitale të ndihmojë Kuvendin e Kosovës në këtë rrugëtim digjital dhe të forcojë kapacitetet e tij”.

Arberie Nagavci, Nënkryetare e Kuvendit të Kosovës, ka shtuar se një ndër sfidat që nga fillimi i pandemisë ka qenë mbajtja e takimeve virtuale.

“Mjetet digjitale do të kenë një rëndësi të madhe në forcimin e infrastrukturës digjitale të Kuvendit dhe do të na mundësojë të mbajmë takime virtuale përfshirë takimet e presidencës, sfida me të cilat jemi përballur që nga fillimi i pandemisë”, tha ai.

Sipas komunikatës së UNDP pandemia COVID-19 ka ndikuar në një transforim digjital dhe komunikimi në distancë është bërë përditshmëri.

“ Pikërisht për këtë arsye Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) dhe Zyra e Vullnetarëve të Kombeve të Bashkuara (UNV) kontribuan në forcimin e infrastrukturës”, thuhet në njoftim.