Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Ulen pagat e zyrtarëve të lartë të Postës, kursehen 248 mijë euro në vit

Bordi i përkohshëm i Ndërmarrjes Publike “Posta e Kosovës” ka vendosur të ulë pagën për 118 zyrtarë të Postës së Kosovës që kanë paga të larta.

Pagat janë ulur varësisht nga koeficienti i pagës. Uljet e pagave në Postën e Kosovës janë mes 6% ulje të pagës deri në 30%.

Këta 118 punëtorë, të cilëve u është ulur paga do t’i kursejnë Postës së Kosovës 248 mijë e 197 euro.

Këta punëtorë përfshihen në koeficientet  8,9,10,11,12,13,14 dhe 15.

Ndërsa, koeficienti 15 dhe 16 nuk kanë pësuar ulje të pagës, për shkak që për to ishte marrë vendime nga bordi i kaluar.

Pagat me koeficient 8 do të kenë ulje të pagës për 6%. Në këtë kategori, sic merr vesh KALLXO.com hynë zyrtarët e lartë. Paga e tyre do të jetë 855 euro tash pas zbritjes.

Pagat me koeficient 9 do të kenë ulje prej 10%. Në këtë kategori përfshihen inxhinierët. Paga e tyre pas zbritjes do të jetë 891 euro.

Pagat me koeficient 10 do të kenë ulje prej 10%. Këtu hyjnë koordinatorët. Paga e tyre mujore pas zbritjes do të jetë 986 euro.

Pagat me koeficient 11 do të kenë ulje prej 15%. Këtu hyjnë menaxheret. Pagat e tyre pas vendimit për ulje do të jetë 1 mijë 17 euro në muaj.

Pagat me koeficient 12 do të kenë ulje prej 20%. Kjo kategori ka 12 zyrtarë dhe këtu hyjnë menaxherët e drejtorive dhe menaxherët regjional. Paga e tyre mujore pas uljes do të jetë 1 mijë e 78 euro.

Pagat me koeficient 13, që janë IT do të kenë ulje të pagës për 25% dhe përfshihen vetëm një zyrtar. Paga e tij mujore do të jetë 1 mijë 141 euro.

Paga me koeficient 14 janë shefat në Postën e Kosovës. Ulje e pagës për këtë kategori që janë shefat në Postën e Kosovës do të jetë 30%. Paga e tyre mujore pritet të jetë 1 mijë e 202 euro.

Paga me koeficient 15 është paga e drejtorëve të drejtorive brenda Postës së Kosovës. Paga e tyre është zvogëluar për 30% dhe pas zbritjes do të marrin 1 mijë e 323 euro.

Deri më tani, brenda muajit, Posta e Kosovës ka paguar paga me vlerë 697 mijë euro, ndërsa tash pas vendimit për ulje të pagave, Posta e Kosovës do të paguaj brenda muajit 676 mijë euro apo mbi 20 mijë euro më pak në muaj.

Për punëtorët që marrin paga me koeficient nga 1 deri në 7 nuk do të ketë ulje të pagave.

Pagat në Postën e Kosovës

Planifikohet ulja e pagave të zyrtarëve të lartë të Postës