Qyteti port i Mariupolit i shkatërruar, Foto: VOA

Ukrainë, mbi 15 mijë persona të zhdukur gjatë luftës

Mbi 15 mijë persona janë zhdukur gjatë luftës në Ukrainë, tha të enjten një zyrtar në Komisionin Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur (ICMP).

Organizata me seli në Hagë, e krijuar pas luftërave në Ballkan në vitet 1990, çeli një zyrë në Kiev në korrik për të ndihmuar Ukrainën në dokumentimin dhe kërkimin e personave të zhdukur.

Matthew Holliday, drejtor për Evropën në ICMP, thotë se është e paqartë se sa njerëz mund të jenë transferuar me forcë, sa mbahen të ndaluar nga Rusia, sa janë gjallë dhe të veçuar nga familjet e tyre, apo sa kanë vdekur dhe janë varrosur në varre të sajuara.

Procesi i hetimit për të zhdukurit në Ukrainë do të zgjasë për vite të tëra, edhe pasi luftimet të jenë ndalur, i tha zoti Holliday agjencisë së lajmeve Reuters. Shifra prej 15 mijë personash të zhdukur është një vlerësim i kujdesshëm po të kihet parasysh se vetëm në qytetin port Mariupol, autoritetet vlerësojnë se rreth 25 mijë persona janë vrarë apo janë zhdukur.

“Shifrat janë tepër të larta, dhe sfidat me të cilat përballet Ukraina janë shumë të mëdha, krahas luftës që po bëjnë me Federatën Ruse”, tha zoti Holliday.

Ai foli pasi Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy kërkoi që Kombet e Bashkuara të ndëshkojnë Rusinë për sulmet ajrore ndaj infrastrukturës civile, pasi një valë sulmesh me raketa zhyti qytetet e Ukrainës në errësirë, në mes të motit të ftohtë.

Mostrat e ADN-së

Duke ruajtur mostrat e ADN-së në një bankë të dhënash dhe duke verifikuar përputhshmërinë me të afërmit, ICMP-ja arriti identifikimin e mbi 27 mijë nga 40 mijë personat e raportuar të zhdukur gjatë konflikteve në ish-Jugosllavi.

Në Kiev, ICMP-ja ka filluar të mbledhë mostra ADN-je dhe po shton kapacitetet për një proces shumëvjeçar, që gjithashtu do të ndihmojë prokurorët për të hetuar krimet e luftës.

“Tani është thelbësore të marrim të gjitha masat e duhura për t’u siguruar që të mund të identifikohen shumë persona”, tha zoti Holliday.

“Pjesa dërrmuese e personave të zhdukur, të vdekurit, janë viktima të krimeve të luftës, dhe autorët duhet të japin llogari”, shtoi ai./VoA