Ilustrim - Foto: Ministria ukrainase e Mbrojtjes / Facebook

Ukraina thotë se ka kryer sulmin më të madh ndaj Rusisë prej nisjes së luftës

Ukraina ka goditur disa objektiva thellë brenda territorit të Rusisë të martën (14.01.2025) në atë që pretendon se është sulmi i saj “më i madh” i luftës deri më tani, ka raportuar transmetuesi britanik, BBC.

Depot e municioneve dhe fabrikat kimike ishin cak në disa rajone, disa prej të cilave ndodhen qindra kilometra larg kufirit, ka njoftuar Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Ukrainës.

Burime nga agjencia e inteligjencës së Ukrainës, SBU, i kanë thënë BBC-së se sulmi brenda natës ishte një “goditje e dhimbshme” për aftësinë e Rusisë për luftë.

Rusia ka thënë se ka rrëzuar raketat amerikane “Atacms”, si dhe raketa “Storm Shadow” të prodhuara në Mbretërinë e Bashkuar, duke u zotuar se do t’i kundërpërgjigjet sulmit.

Të paktën nëntë aeroporte në Rusinë qendrore dhe perëndimore ndaluan përkohësisht trafikun, ndërsa bombardimet i detyruan shkollat të mbylleshin ​​në rajonin jugperëndimor, Saratov.

Sulmet në rajonin kufitar, Bryansk, shkaktuan shpërthime në një rafineri, depo municionesh dhe në një fabrikë kimike që thuhet se prodhonte barut dhe eksplozivë, ka thënë një burim ukrainas i sigurisë për BBC-në.

Por Kievi gjithashtu goditi shumë më thellë në vend, derisa Shtabi i Përgjithshëm pretendon se ka goditur objektiva deri në 1.100 kilometra nga kufiri.

Në rajonin perëndimor Saratov, zyrtarët raportuan një sulm “masiv” me dronë.

Dy fabrika industriale janë dëmtuar në qytetet Engels dhe Saratov, ka shkruar në rrjetin social “Telegram” guvernatori rajonal, Roman Busargin.

Nxënësit mbajtën mësim online të martën pasi u mbyllën shkollat.

Javën e kaluar, Kievi njoftoi se kishte goditur një objekt të magazinimit të naftës në Engels – duke shkaktuar një përpjekje disaditore për t’i shuar flakët, derisa në Busargin është shpallur gjendje e jashtëzakonshme.

Zyrtarët në rajonin perëndimor Tula kanë raportuar gjithashtu një sulm gjatë natës, ku guvernatori rajonal, Dmitry Milyaev Russian, ka theksuar se mbrojtja ajrore ka rrëzuar 16 dronë.

Diku tjetër, një vend depozitimi gazi pranë Kazanit u godit nga një sulm me dron në rajonin jugperëndimor të Tatarstanit, kanë bërë të ditur zyrtarët lokalë, pa raportuar për viktima.

Ukraina ka njoftuar se Rusia gjithashtu lëshoi ​​dhjetëra dronë në të gjithë Ukrainën gjatë natës, derisa alarme të shumta për sulm ajror u dëgjuan brenda dhe përreth Kievit.

Videot e postuara në internet duket se konfirmojnë të paktën disa nga pretendimet – megjithëse Ministria e Mbrojtjes në Moskë thotë se raketat e prodhuara nga SHBA-ja dhe Britania u rrëzuan mbi Bryansk dhe mbi Detin e Zi.

Ukraina po përpiqet të zmbrapsë, sido që të mundet, përparimet ushtarake ruse në terren, një javë para inaugurimit të presidentit të zgjedhur amerikan, Donald Trump.

Autoritetet në Kiev janë nën presion nga administrata amerikane për të ulur moshën e rekrutimit dhe për t’i mundësuar asaj dërgimin e më shumë ushtarëve në vijat e frontit. /BBC.

Përgatiti: Rexhep Maloku/Kallxo.com