Ukraina sulmon Rusinë me raketa amerikane me rreze të gjatë veprimi
Ukraina ka hedhur për herë të parë raketa amerikane me rreze më të gjata mbi një cak brenda territorit rus, një ditë pasi Uashingtoni ia dha lejen për sulme të tilla, ka raportuar BBC.
Zyrtarët amerikanë konfirmuan përdorimin e Sistemit Raketor Taktik të Ushtrisë (Atacms) për CBS, partneri amerikan i BBC-së.
Ministria ruse e Mbrojtjes tha më herët se sulmi shënjestroi rajonin Bryansk në kufi me Ukrainën në veri të martën në mëngjes.
Pesë raketa u rrëzuan dhe një u dëmtua, me fragmente të saj që shkaktuan një zjarr në një objekt ushtarak në rajon.
Ministri i Jashtëm rus, Sergej Lavrov, akuzoi Uashingtonin se po përpiqet të përshkallëzojë konfliktin.
“Që Atacms u përdor në mënyrë të përsëritur gjatë natës kundër rajonit Bryansk është sigurisht një sinjal se ato (Shtetet e Bashkuara) duan përshkallëzim” – deklaroi ai.
“Dhe pa amerikanët, përdorimi i këtyre raketave të teknologjisë së lartë, siç ka thënë Putini shumë herë, është i pamundur”.
Ai tha se Rusia beson fort se raketat u operuan nga “ekspertë ushtarakë amerikanë”.
“Ne do ta marrim këtë si një imazh të përtërirë të luftës perëndimore kundër Rusisë dhe do të reagojmë në përputhje me rrethanat” – ka deklaruar ai në një konferencë për shtyp në G20 në Rio de Zhaneiro.
Presidenti amerikan, Joe Biden, ka aprovuar kërkesën ukrainase për përdorimin e raketave me rreze të gjata veprimi kundër caqeve në Rusi në një ndryshim të madh të politikës amerikane – dy muaj para se ai të largohet nga Shtëpia e Bardhë.
Nuk është e qartë nëse pasuesi i tij, presidenti i zgjedhur, Donald Trump, ishte konsultuar ose nëse e mbështet këtë qëndrim, meqë kishte premtuar se do t’i jepte fund shumë shpejt luftës ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës.
Më herët të martën, Kremlini miratoi ndryshime në doktrinën bërthamore të Rusisë, duke vendosur kushte të reja në të cilat vendi do të konsideronte përdorimin e arsenalit të tij.
Tani thotë se një sulm nga një shtet jobërthamor, nëse mbështetet nga një fuqi bërthamore, do të trajtohet si një sulm i përbashkët ndaj Rusisë.
Ukraina ka përdorur tashmë Atacms në zonat e pushtuara nga Rusia për më shumë se një vit.
Raketat mund të godasin objektivat në një distancë deri në 300 kilometra dhe vështirë se mund të neutralizohen.
Kievi tani është në gjendje të godasë më thellë Rusinë duke përdorur raketat, duke përfshirë rajonin e Kurskut, ku forcat ukrainase mbajnë mbi një mijë kilometra katrorë territor. Zyrtarët ukrainas dhe amerikanë thuhet se presin një kundërofensivë në rajon.
Përgatiti: Rexhep Maloku/Kallxo.com