Ilustrim

Ukraina pretendon se janë vrarë më shumë se 5 mijë ushtarë rusë

Ministria e Mbrojtjes e Ukrainës, pretendon se më shumë se 5,000 ushtarë rusë janë vrarë në katër ditët e para të luftimeve.

Në një deklaratë të postuar në ‘Facebook’, zyrtarët ukrainas thanë se rreth 5,300 trupa ruse janë vrarë dhe pretenduan se 191 tanke, 29 avionë luftarakë, 29 helikopterë dhe 816 transportues të personelit të blinduar janë shkatërruar nga forcat e Ukrainës, raporton BBC.

BBC nuk ka qenë në gjendje t’i verifikojë në mënyrë të pavarur këto pretendime, megjithëse Ministria e Mbrojtjes e Mbretërisë së Bashkuar beson se Rusia ka marrë mjaftë viktima në fazat fillestare të konfliktit.

Pretendimet pasojnë pranimet nga ministria ruse e mbrojtjes të dielën, se forcat e saj kanë pësuar humbje, megjithëse zyrtarët nuk dhanë një shifër të saktë.

Ndërkohë, vëzhguesit e OKB-së thanë se kishin konfirmuar të paktën 94 vdekje të civilëve gjatë ditëve të para të luftimeve.

OKB tha se pushtimi kishte shkaktuar “pasoja të rënda humanitare” dhe se viktimat mund të jenë dukshëm më të larta.

Sot është dita e pestë e luftës në Ukrainë.

Sulmi i Moskës ka nisur në orët e para të 24-shkurtit. Raketat janë nisur në aeroporte dhe infrastrukturë ushtarake në rreth 25 qytete.

Veprimi i Kremlinit ka nxitur zemërim dhe është dënuar në gjithë botën.

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët janë përgjigjur me sanksione të ashpra kundër Moskës./BBC

Përgatiti: Arbisa Shefkiu