Ukraina pranon tanket e para nga Perëndimi

Pushtimi rus i Ukrainës filloi më 24 shkurt të vitit 2022. Sulmet nga forcat ruse u raportuan në qytetet kryesore anembanë Ukrainës, duke përfshirë edhe kryeqytetin Kiev. 

Zyrtarët perëndimorë pohuan se për nga shtrirja, lufta mund të jetë më e madhja në Evropë që nga viti 1945. 

Zyra e Komisionerit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut (OHCHR) verifikoi mbi 6.8 mijë vdekje të civilëve në Ukrainë gjatë luftës që nga dhjetori 2022.

Lufta rezultoi në një krizë humanitare, pasi mijëra ukrainas u larguan në perëndim të vendit të tyre dhe jashtë vendit. 

Polonia fqinje regjistroi numrin më të madh të kalimeve kufitare nga Ukraina, me rreth tetë milionë që nga dhjetori 2022, e ndjekur nga Rusia, Hungaria dhe Rumania.

Ndërkohë, sot është dita e 398 e luftës atje dhe zhvillimet e fundit janë si në vijim:

Ukraina i ka marrë tanket e saj kryesore të betejës britanike, së bashku me automjete të tjera të blinduara të dhuruara nga perëndimi, njoftoi të hënën Ministri i Mbrojtjes Oleksii Reznikov. “Sot pata nderin të testoj shtesën më të re në njësitë tona të blinduara së bashku me komandantin e Forcave Ajrore, gjeneralmajor Maksym ‘Mike’ Myrhorodskyi dhe parashutistët tanë,” tha Reznikov në një postim në Facebook.

Shpërthime të shumta janë raportuar në Kiev të hënën mbrëma, sipas kryebashkiakut, Vitaliy Klitschko. Klitschko tha se një dyqan u përfshi nga zjarri në perëndim, por nuk kishte raporte të menjëhershme për viktima. Mbrojtja ajrore e Kievit tha se rrëzoi të gjithë dronët e përfshirë në sulm.

Komandanti i forcave tokësore të Ukrainës tha se trupat e tij po vazhdojnë t’i zmbrapsnin sulmet e rënda ruse në qytetin lindor të Bakhmutit dhe se mbrojtja e tij është një “domosdoshmëri ushtarake”. Komentet e gjeneral-kolonelit Oleksandr Syrskyi sinjalizuan sërish qëllimin e Ukrainës për ta vazhduar luftimin në Bakhmut, pavarësisht nga numri i madh i vdekjeve.

Të paktën dy persona u vranë në një sulm me raketa ruse në qytetin lindor të Sloviansk të hënën, sipas guvernatorit rajonal, Pavlo Kyrylenko. Sulmi la 29 të tjerë të plagosur dhe një numër ndërtesash dhe zyrash të larta u dëmtuan ose u shkatërruan. Volodymyr Zelenskiy postoi një videoklip përmes të cilit shfaqte automjete në zjarr dhe mbeturina të shpërndara nëpër rrugë.

Zelenskiy, presidenti i Ukrainës, i tha shefit të IAEA, Rafael Grossi, se siguria në objektin bërthamor të Zaporizhzhia nuk mund të garantohej derisa trupat ruse të largoheshin. Dyshja u takuan të hënën për të diskutuar mbi menaxhimin e termocentralit më të madh bërthamor në Evropë dhe patën një “bisedë të bujshme” sipas Grossi.

Kompanitë perëndimore po i shesin bizneset e tyre ruse dhe largohen po përballen me një donacion të detyrueshëm 10% të drejtpërdrejtë për qeverinë, ka raportuar Financial Times, pas një vendimi nga komisioni i investimeve të huaja të Rusisë.

Këshilli i Sigurimit i OKB-së refuzoi të hënën një kërkesë ruse për të hetuar se kush hodhi në erë gazsjellësin Nord Stream 2. Rusia, Kina dhe Brazili votuan në favor të mocionit për të hetuar, por ai dështoi pasi i mungonin nëntë votat e nevojshme në këshillin 15-vendesh për të mbajtur. Zëvendës ambasadori i SHBA-së Robert ëood tha se nuk kishte nevojë për hetime të veçanta tashmë në proces.

Sipas një raporti, 18 tanket e betejës Leopard 2, të premtuara nga Gjermania për ta mbështetur Ukrainën në luftën e saj kundër Rusisë, janë dorëzuar në kufirin me Ukrainën. Rreth 40 automjete luftarake të këmbësorisë Marder kanë arritur gjithashtu në Ukrainë, ka raportuar Der Spiegel, duke cituar burime të paidentifikuara.

Kryeparlamentari të Ukrainës, Ruslan Stefanchuk, u ka thënë ligjvënësve britanikë se Kievi është gati të dërgojë pilotët e tij për t’u trajnuar në përdorimin e avionëve luftarakë perëndimorë. Stefanchuk, duke folur gjatë një vizite në Mbretërinë e Bashkuar, tha se Kievi mund të sjellë “fitore të përbashkët për Ukrainën dhe botën” sapo të “marrë krahët”, në gjuhën që i bën jehonë fjalimit të Volodymyr Zelenskiy në parlamentin britanik në shkurt.

Një bisedë telefonike e zbuluar mes producentit të shquar rus të muzikës Iosif Prigozhin dhe miliarderit Farkhad Akhmedov, në të cilën të dy burrat japin një kritikë të gjerë për luftën në Ukrainë dhe udhëheqjen e Rusisë, është publikuar nga mediat ukrainase. Nëse është e vërtetë, audio do të ofrojë një pasqyrë të rrallë të disponimit brenda elitave ruse.

Atletët rusë dhe bjellorusë duhet të përjashtohen nga Lojërat Olimpike 2024 në Paris, nëse Moska nuk i tërheq forcat e saj nga Ukraina, ka thënë Polonia, pasi Komiteti Olimpik Ndërkombëtar (IOC) tha se planifikon t’i lejojë ata të garonin me status neutral.

Polonia e ka arrestuar një shtetas të huaj me akuzën e spiunimit për Rusinë, kanë thënë prokurorët e atjeshëm. Arrestimi vjen pasi Polonia çmontoi një rrjet spiunazhi rus që kishte përgatitur akte sabotimi dhe monitorim të rrugëve hekurudhore për në Ukrainë. Nëse shpallet fajtor, i dyshuari mund të përballet me 10 vite burg.

Parlamenti i Hungarisë e ka miratuar një projekt-ligj përmes të cilit lejon Finlandën të bashkohet me NATO-n, duke e sjellë atë një hap më pranë anëtarësimit të plotë të aleancës. Ligjvënësit hungarezë votuan 182 pro dhe gjashtë kundër pa asnjë abstenim. Turqia është e vetmja nga 30 anëtarët e NATO-s që nuk e ka ratifikuar pranimin e Finlandës në këtë organizatë./The Guardian

Përgatiti: Nuhi Shala