Foto: Volodymyr Zelensky / facebook

Ukraina paralajmëron tërheqje nga Rusia

Ukraina thotë se nuk është e interesuar që ta mbajë territorin rus një javë pas sulmit të befasishëm në rajonin Kursk, ka bërë të ditur Ministria e Jashtme e Ukrainës, raporton BBC.

Ndërkohë, presidenti Volodymyr Zelensky ka thënë se Rusia është përballur me një goditje të fuqishme pasi Kievi pretendon se mbrojtja e tij ajrore shkatërroi 30 prej 38 dronëve rusë të lansuar gjatë natës.

“Mbrëmë, terrori rus edhe njëherë mori një kundërpërgjigje të denjë”, ka shkruar Zelensky në X, duke shtuar se “çdo cak i shkatërruar i armikut, rezulton me jetë të mbrojtura dhe infrastrukturë të mbrojtur”.

“I falënderoj për saktësinë e tyre të gjithë luftëtarët tanë, të cilët sigurojnë sigurinë e qiejve tanë. Fuqizimi i mbrojtësve tanë dhe aftësia jonë për të sprapsur terrorin rus mbetet top-prioritet”, ka thënë ai.

Ndërkohë zyrtarët rusë kanë thënë se kanë hapur 400 qendra të përkohshme strehimi në mbarë vendin për të vendosur mbi 30 mijë të evakuuar nga rajoni i Kurskut, ku brigadat speciale ukrainase kanë hyrë deri në tridhjetë kilometra thellësi të territorit rus. Ukraina pretendon se ka marrë kontrollin e rreth 30 fshatrave në sulmin e papritur që e nisi të martën e javës së kaluar. Rusia thotë se deri tani janë zhvendosur121 mijë persona.

Zelensky ka thënë se Rusia “duhet forcërisht të bjerë në paqe nëse Putini dëshiron të vazhdojë ashpërsimin e luftës aq shumë”. Putini ka akuzuar Ukrainën se po kryen krime kundër popullit rus dhe ka thënë se Kievi do të përballet me një “kundërpërgjigje të denjë”.

Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com