Ukraina "nuk duhet të bëjë koncesione të papranueshme” për Rusinë

I dërguari i Ukrainës për bisedimet e paqes me separatistët e mbështetur nga Rusia, ka thënë se Kievi nuk duhet të bëjëkoncesione të papranueshme për Rusinë.

Marrëdhëniet ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës janë përkeqësuar që prej vitit 2014, kur Moska aneksoi Gadishullin ukrainas të Krimesë dhe nisin mbështetjen e separatistëve në lindje të Ukrainës.

I dërguari i Ukrainës, Leonid Kuchma tha se Kievi nuk duhet të pranojë kërkesa, siç është aprovimi i një plani të separatistëve që të mbajnë zgjedhje në zonat që ata kontrollojnë në rajonet Luhansk dhe Donetsk, pa mbikëqyrjen e Ukrainës.

“Bisedimet për zgjedhjet në Donbas kanë qenë të vazhdueshme. Për cilat zgjedhje po flisni, kur njerëz të armatosur vazhdojnë të jenë të pranishëm aty? Zgjedhjet mund të mbahen pasi trupat dhe armatimi i rëndë të jenë larguar nga Ukraina, kur autoritetet ukrainase të jenë vendosur aty dhe gazetarët të mund të kenë qasje në këtë zonë”, tha Kuchma, i cili ka qenë president i Ukrainës nga viti 1994 deri më 2005.

Moska dhe Kievi kanë shkëmbyer të burgosur fundjavën e kaluar dhe kjo gjë ka ngjallur shpresat se bisedimet e paqes mund t’i japin fund konfliktit në lindje të Ukrainës, ku mbi 13 mijë persona janë vrarë që prej se luftimet nisën në prill të vitit 2014.

Ukraina, Rusia, Gjermania dhe Franca – i ashtuquajturi formati normandik i bisedimeve – për herë të fundit u takuan në tetorin e vitit 2016.

Kuchma ka shprehur shqetësimin e tij se Franca dhe Gjermania mund ta shtyjnë presidentin ukrainas, Volodymyr Zelenskiy që të bëjë koncesione të mëdha.

Presidenti Zelenskiy ka deklaruar se mirëpret një takim me udhëheqësit e këtyre katë shteteve.

“Ne presim që ky takim të ndodhë në fund të shtatorit”, kishte deklaruar presidenti ukrainas.