Ukraina nuk do të bëjë kompromis

Mes ukrainasve, ka pak debat se si do të përfundojë lufta. Konsensusi i gjërë është se lufta nuk mund të përfundojë derisa Rusia të zmbrapset plotësisht dhe kufijtë e Ukrainës të kthehen në kufirin e vitit 1991 kur u shpall pavarësia pas rënies së Bashkimit Sovjetik.

Kjo nënkupton largimin e trupave ruse nga Krimea dhe republikat e vetëshpallura të Luhanskut dhe Donetskut në rajonin e Donbasit.

Sigurisht, ky nuk është një mision i lehtë. Mirëpo për ukrainasit, alternativa është e paimagjinueshme. Varret masive të zbuluara në Buça na kanë treguar se çfarë do të thotë pushtimi rus. Ne kemi parë gjithashtu, në premtimet e thyera të marrëveshjeve të Minskut, sa vlen çdo armëpushim me Vladimir Putinin. Pse duhet të pajtohemi me një marrëveshje të rreme paqeje kur e dimë se Putini do ta injorojë atë dhe do ta nisë përsëri luftën kundër nesh?

Si një ukrainase, është e çuditshme t’i lexosh disa nga teoritë për atë që po ndodh. A jemi pengje, duke luftuar sepse jemi përballur me të nga Perëndimi? Jo, ne e i rezistuam forcave ushtarake të Putinit me shumë pak ndihmë në javët e para të luftës. Edhe nëse Perëndimi ndalon së na armatosuri, ne prapë do të vazhdojmë të luftojmë. Ne e dimë se alternativa është më e keqe: nënshtrimi dhe asgjësimi kulturor.

Diskutimet në Perëndim për të ardhmen e Ukrainës shpesh kanë ngecje në lidhje me çështjen e Krimesë dhe Donbasit. Argumentohet se shumë rusishtfolës kërkojnë mbrojtje nga Moska dhe e shohin Ukrainën si një pushtues. Po, historia e Ukrainës do të thotë se ne kemi shumë rusishtfolës që dikur e ndjenin një lidhje më të ngushtë me Moskën zyrtare sesa Kievin zyrtar dhe kishin frikë nga diskriminimi në duart e atyre që ata i perceptonin si nacionalistë ukrainas. Ishte një problem i ngjashëm me atë të Irlandës së Veriut dhe Qipros: modelet historike të imigracionit që krijonin komunitete me identitete konkurruese. Kjo është arsyeja pse shumë në Perëndim janë të shqetësuar për të marrë anë.

Mirëpo, kjo analizë e injoron shkallën në të cilën gjërat kishin ndryshuar që nga viti 2014 kur Rusia e pushtoi Krimenë dhe Ukrainën lindore. Atë vit, referendumet për pavarësi u organizuan në Donetsk dhe Luhansk dhe u mbikëqyrën nga ushtarë me uniforma pa shenja. Si të gjitha referendumet e dyshimta, votat u bojkotuan nga ata që i kundërshtuan separatistët.

Kjo nuk do të thotë se opinioni publik nuk u nda. Sondazhet në fillim të vitit 2014 sugjeruan se rreth një e katërta e votuesve në të dy zonat kishin shprehur dëshirë të ishin pjesë e Rusisë. Megjithatë, kjo ndodhi përpara se mercenarët e Putinit ta fillonin ta rrafshonin, në vend që ta shpëtonin, Donbasin.

Gjatë nëntë viteve të fundit, ka ndodhur një eksod masiv, me miliona në lindje që ikin nga luftimet midis ushtarëve ukrainas dhe rusë. Rajoni në fjalë u grabit nga separatistët dhe ekonomia lokale u shkatërrua. I takoi Kievit të paguajë pensionet dhe të sigurojë energji elektrike dhe ujë në këto territore, të cilat Putini, tani pretendon se janë pjesë e Rusisë. Shpresat origjinale të Donbasit për pasuri nga Russkiy Mir u shkatërruan shpejt.

Krimea wshtw ndryshe: ajo ka vlerë të madhe ideologjike dhe politike për Putinin. Që kur e ka marrë në kontroll, Putin e ka mbushur Krimenë me para dhe rusë. E kam parë këtë kur e kam bërë autostop disa vite më parë. Pashë gjithashtu sesi besnikët ukrainas kishin mësuar të heshtin: shfaqja e një flamuri blu-verdhë do ta rrezikonte burgimin ose dëbimin.

Sot, nëse të mbijetuarit e Ukrainës lindore të bombarduar dhe ata në Krime do të pyeteshin nëse do të preferonin të jetonin nën Putinin apo nën Kievin, përgjigja e tyre ndoshta do të ishte shumë e ndryshme. Kjo është arsyeja pse sondazhet e opinionit para vitit 2014 për Krimenë dhe Donbasin tani nuk duhet të vlejnë më. Nuk ka dyshim se nëntë vjet luftë kanë dëshmuar se opinioni publik në mesin e pjesëve rusishtfolëse të Ukrainës të kthehet ashpër kundër Moskës. Pjesërisht, kjo është arsyeja pse Putini e nisi pushtimin përsëri vitin e kaluar: zona e tij elektorale në Ukrainë po zvogëlohej.

Në fillim të pushtimit, dukej se Ukraina nuk kishte asnjë shans për të fituar. Tani fitorja është e mundur. Miqtë e mi që u larguan nga Donetsku nëntë vjet më parë kanë një shpresë realiste për t’u kthyer në shtëpi nën flamurin ukrainas.

Vetëbesimi është bërë tejet me rëndësi për mbijetesën. Jemi optimistë, por jo naivë. Bisedimet e paqes do të ndodhin herët a vonë. Mund të ketë një negociim për Krimenë; mund të bëhet vetëqeverisëse (brenda kufijve të Ukrainës). Mirëpo të gjitha trupat ruse do të duhej të largoheshin. Ukrainasit do të vazhdojnë të luftojnë me besimin se arritja e një marrëveshjeje që i ofron Putinit një pjesë kompensuese të Ukrainës, do të ishte garantimi i një lufte tjetër./The Spectator

Përgatiti: Nuhi Shala