Donald Trump dhe Volodymyr Zelensky, Foto: BBC

Ukraina "një ditë mund të jetë ruse" - thotë presidenti Trump para takimit Vance-Zelensky

Presidenti amerikan, Donald Trump ka sugjeruar se Ukraina “mund të jetë ruse një ditë”, duke vënë në dyshim pavarësinë e ardhshme të një shteti sovran, që me mbështetjen perëndimore, ka mbrojtur veten kundër pushtimit në shkallë të gjerë të Moskës pothuajse qe tri vjet – raporton të martën, më 11.02.2025, televizioni amerikan CNN.

Trump ka diskutuar në një intervistë për Fox News rrekjen e Administratës së tij për t’i dhënë fund luftës. Intervista është transmetuar në fillim të javës para takimit të planifikuar ndërmjet zëvendëspresidentit amerikan, JD Vance dhe presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky.

“Ata (Ukraina) mund të bëjnë ujdi, mund të mos bëjnë ujdi. Ata mund të jenë rusë një ditë, ose mund të mos jenë rusë një ditë.” – ka deklaruar Trump. Ai ka spikatur se dëshiron gjithashtu të shohë kthim të investimeve për ndihmën amerikane për Ukrainën, duke folur përsëri për idenë e një ujdie tregtare për mineralet e rralla tokësore të Kievit.

Komentet e Presidentit amerikan me gjasë do t’ia bëjnë qejfin Kremlinit, i cili i ka aneksuar ilegalisht katër rajone ukrainase prej nisjes së pushtimit masiv dhe kërkon dorëzim total të Ukrainës.

“Një hise e mirë e Ukrainës dëshiron të bëhet Rusi dhe fakti se tashmë është bërë Rusi është i pamohueshëm.” – ka deklaruar zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, për gazetarët të martën kur është pyetur për komentet e Trumpit.

Kur Rusia nisi pushtimin e saj në shkallë të plotë në shkurt 2022 besonte se do të pushtonte kryeqytetin Kiev brenda disa ditësh dhe pjesën tjetër të vendit brenda javësh. Pak para se lufta të hyjë në vitin e saj të katërt, Moska kontrollon rreth një të pestën e territorit të Ukrainës. Në vitin 2023, Rusia organizoi një referendum të rremë në katër rajonet e pushtuara: Donjeck, Luhansk, Zaporizhia dhe Kerson, në përpjekje të legjitimonte aneksimin.

Peskov ka deklaruar se njerëzit “pavarësisht shumë rreziqeve, qëndruan në radhë dhe votuan” në referendumin për bashkim me Rusinë. “Kjo korrespondon kryesisht me fjalët e presidentit Trump.” – ka shtuar ai. Televizioni CNN raportoi atëherë për referendumin e instruktuar, të cilin vëzhguesit ndërkombëtarë e hodhën poshtë si ushtrim propagande.

Në intervistën për Fox News, Trump ka theksuar se Administrata e tij ka bërë “përparim të jashtëzakonshëm” për trazimin e rrugës për bisedimet e mundshme të paqes me Rusinë dhe Ukrainën. Zelensky ka thënë të hënën se “disa njerëz seriozë” nga Administrata e Trumpit do të vizitojnë Ukrainën këtë javë, para Konferencës së Sigurisë në Munih në Gjermani, ku Zelensky do të takohet me zëvendëspresidentin Vance.

Trump ka përsëritur interesimin e tij për kthim të ndihmës së SHBA-së për Kievin. “Ata kanë një tokë jashtëzakonisht të vlefshme për sa i përket tokës së rrallë, për sa i përket naftës dhe gazit, për sa i përket gjërave të tjera. Unë dua t’i kemi paratë tona të siguruara.” – ka deklaruar ai.

“Unë u thashë atyre se unë dua ekuivalentin, si 500 miliardë dollarë tokë të rrallë dhe ata në thelb kanë rënë dakord ta bëjnë këtë, kështu që të paktën ne të mos ndihemi budallenj. Ndryshe jemi budallenj. Unë u thashë atyre, duhet të marrim diçka. Ne nuk mund të vazhdojmë t’i paguajmë këto para.” – ka thënë ai.

Ndërsa, Administrata e ish-presidentit Joe Biden ngulmonte se mbështetja për Kievin ishte në mbrojtje të “së drejtës së njerëzve për përcaktimin e të ardhmes së tyre” dhe që të ruante “parimin se një vend nuk mund të ndryshojë kufijtë e fqinjit të tij me forcë”, komentet e Trumpit përforcojnë qasjen e tij më ndërvepruese ndaj gjeopolitikës.

Komentet e Trumpit ka të ngjarë të jenë bërë si ndihmë për presidentin rus, Vladimir Putin, i cili është munduar të justifikojë pushtimin e Ukrainës, duke pohuar rrejshëm se rusët dhe ukrainasit janë “një popull – një e tërë e vetme” dhe se Ukraina nuk është shtet sovran.

Derisa liderët europianë që përgatiten të takohen me anëtarë të lartë të Administratës Trump në Munih këtë javë, presidenti i Polonisë Andrzej Duda ka deklaruar të martën se Rusia “nuk mund të përfitojë” nga lufta e saj në Ukrainë dhe nuk duhet të dalë fitimtare.

Duke folur për televizionin CNN në margjinat e Samitit Botëror të Qeverisjes në Dubai, Duda ka thënë se në një “skenar të përsosur, Ukraina duhet të rifitojë të gjithë tokën që është pushtuar nga Rusia sot”, por pranoi se prioritet tani është të sigurohet që “lufta të ndalet”, por jo sipas “kushteve ruse”.

 

Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com