Foto: Volodymyr Zelensky / facebook

Ukraina në zi pas bombardimeve ruse mbi caqet civile

Një ditë zie po mbahet në Ukrainë pas një prej valëve më të tmerrshme të bombardimeve ajrore ruse në muajt e fundit, ku së paku 40 persona mbeten të vrarë dhe 166 të plagosur, raporton BBC.

Caku kryesor ishte spitali më i madh për fëmijë në kryeqytetin Kiev, por sulme ka pasur edhe mbi caqe tjera në qytetet ukrainase. Dy persona kanë vdekur pas një sulmi me raketë në Spitalin e Fëmijëve Ohmatdyt – qendra më e madhe pediatrike në vend – derisa kanë vazhduar përpjekjet për shpëtimin e të mbijetuarve të mundshëm.

Ndërkohë guvernatori i rajonit jugor të Rusisë, Belgorod, që kufizohet me Ukrainën, ka thënë se katër persona kanë mbetur të vdekur si pasojë e sulmeve ajrore ukrainase në 24 orët e fundit.

Rusia ia ka mohuar akuzat ukrainase për sulmin mbi spitalin e Kievit, duke theksuar se sulmi ishte kryer nga copëza të një rakete të mbrojtjes ajrore ukrainase. Por, Kievi pretendon se kishte gjetur pjesë të një rakete ruse kruz.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, e ka quajtur sulmin “brutal” dhe e ka përshkruar homologun rus, Vladimir Putin, si “kriminel të përgjakshëm”.

NATO-ja fillon sot samitin e saj në Washington, ku kundërpërgjigja e bllokut perëndimor ushtarak ndaj pushtimit rus të Ukrainës do të jetë në krye të agjendës.

Liderët botërorë, që mbështesin Ukrainën, e kanë dënuar sulmin. Në mesin e tyre ishte edhe kryeministri i porsazgjedhur britanik, sir Keir Starmer. Ai ka thënë se vrasja e “fëmijëve të pafajshëm” është një prej veprimeve të më të tmerrshme dhe është zotuar se vendi i tij do të përkrahë Kievin edhe pas ndryshimeve qeveritare në Mbretërinë e Bashkuar.

Duke i quajtur sulmet ruse “shenjë përkujtuese të brutalitetit të Rusisë”, presidenti amerikan, Joe Biden ka shprehur përsëri mbështetje për Ukrainën. Ai ka thënë se SHBA-ja së shpejti do të zotojë përkrahje të re për sistemet ukrainase të mbrojtjes ajrore, raporton BBC.

Përgatiti: Rexhep Maloku/Kallxo.com