Ukraina mund t’i intensifikojë sulmet ndaj caqeve ruse në `dy ose tre muajt e ardhshëm`

Mund të ketë më shumë sulme në “dy ose tre muajt e ardhshëm” të ngjashëm me sulmet në Krime, ka deklaruar një këshilltar kryesor i presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelenskiy, në një intervistë ekskluzive me Guardian. Mykhailo Podolyak tha se Ukraina është e përfshirë në një kundërofensivë që synon të krijojë “kaos brenda forcave ruse” duke i goditur linjat e furnizimit të pushtuesve thellë në territoret e pushtuara.

Ukraina ka lënë të kuptohet se qëndron pas një serie sulmesh misterioze dhe shkatërruese në Krimenë e pushtuar që shkatërruan një nyje kyçe hekurudhore që përdoret për furnizimin e trupave ruse dhe një bazë ajrore ushtarake. Disa shpërthime të martën duket se kanë shkatërruar një depo municionesh ruse dhe një nënstacion elektrik rreth 200 km nga vija e frontit me forcat ukrainase. Rusia i fajësoi diversantët për orkestrimin e serisë së shpërthimeve.

Udhëheqësit e Ukrainës, Turqisë dhe OKB-së do të takohen për ta rishikuar marrëveshjen e eksportit të grurit në Lviv të enjten. Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së António Guterres, presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy dhe presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan do ta diskutojnë gjithashtu “nevojen për një zgjidhje politike të këtij konflikti” dhe situatën në termocentralin bërthamor Zaporizhzhia të kontrolluar nga Rusia, tha zëdhënësi i OKB-së, Stephane Dujarric.

Operatori bërthamor i Ukrainës raportoi atë që e quajti një sulm kibernetik “të paprecedentë” në faqen e tij të internetit, por tha se operacionet e tij nuk janë ndërprerë. “Më 16 gusht 2022, sulmi kibernetik më i fuqishëm që nga fillimi i pushtimit rus ndodhi kundër faqes së internetit të Energoatom”, tha operatori, duke shtuar se “u sulmua nga territori rus”.

Koreja e Veriut dhe rajoni separatist i Donetskut i Ukrainës i mbështetur nga Rusia do të zhvillojnë “bashkëpunim dypalësh po aq të dobishëm”, tha Denis Pushilin, kreu i Republikës Popullore të vetëshpallur të Donjeckut, në një letër drejtuar Kim Jong-un, raportoi media shtetërore e Koresë së Veriut.

Anija e parë që u nis nga Ukraina sipas një marrëveshjeje për eksportin e grurit u ankorua në Siri të martën, sipas një burimi të anijeve dhe të dhënave satelitore. Një anije tjetër që transportonte ngarkesën e parë të ndihmave ushqimore me destinacion Afrikën u largua gjithashtu nga portet e Ukrainës.

Ministria e Mbrojtjes e Rusisë e ka paralajmëruar Britaninë kundër një fluturimi të planifikuar avioni spiun mbi territorin rus, duke thënë se forcave të saj ajrore i janë dhënë urdhra për të parandaluar një ndërhyrje. Ministria tha se Mbretëria e Bashkuar dërgoi një njoftim duke informuar për një fluturim të planifikuar të një avioni zbulues RC-135 përgjatë një rruge që kalon pjesërisht mbi territorin rus. “Ne e konsiderojmë këtë veprim si një provokim të qëllimshëm,” tha ministria.

Autoritetet estoneze larguan një tank të epokës sovjetike nga piedestali i tij në qytetin lindor të Narva, heqja më e rëndësishme ende nga rreth 200 deri në 400 monumente të tilla që qeveria është zotuar t’i largojë deri në fund të vitit. “Askush nuk dëshiron ta shohë fqinjin tonë militant dhe armiqësor të nxisë tensione në shtëpinë tonë”, tha të martën kryeministrja Kaja Kallas. Estonia gjithashtu këtë javë do ta mbyllë kufirin e saj për më shumë se 50,000 rusë me viza të lëshuara më parë.

Finlanda njoftoi se do të ulë numrin e vizave që lëshon për rusët në 10% të vëllimeve aktuale nga 1 shtatori pasi turistët rusë kanë filluar të përdorin vendin si një portë për në destinacionet evropiane të pushimeve. Finlanda do t’i bashkohet gjithashtu shteteve baltike në propozimin e përbashkët të ndërprerjes së një marrëveshjeje për lehtësimin e vizave të BE-së me Rusinë që e bën më të lehtë dhe më të lirë për rusët udhëtimin në dhe brenda BE-së, tha ministri i jashtëm, Pekka Haavisto./The Guardian

Përgatiti: Nuhi Shala