Ilustrim

Ukraina kërkon takim me Rusinë brenda 48 orëve

Ukraina ka bërë thirrje për një takim me Rusinë dhe anëtarë të tjerë të grupit të sigurisë evropiane lidhur me përshkallëzimin e tensioneve në kufirin e saj.

Ministri i Jashtëm, Dmytro Kuleba tha se Rusia kishte injoruar kërkesat zyrtare për të shpjeguar vendosjen e trupave, raporton BBC.

Ai tha se hapi tjetër ishte kërkesa për një takim brenda 48 orëve të ardhshme për transparencë në lidhje me planet e Rusisë.

Rusia ka mohuar çdo plan për të pushtuar Ukrainën, pavarësisht nga grumbullimi i rreth 100,000 ushtarëve në kufijtë e Ukrainës.

Ambasadori i Ukrainës në Londër, Vadym Prystaiko, është tërhequr nga komentet e tij për BBC, në të cilat ai tha se Ukraina ishte e gatshme të ishte “fleksibile” në ambicien e saj për t’u bashkuar me NATO-n, që do të ishte një lëshim i madh për Rusinë.

Por në një intervistë të mëvonshme, ai tha se Ukraina kishte një angazhim kushtetues për t’u bashkuar me NATO-n dhe varet nga “gatishmëria e vetë NATO-s” nëse Ukraina do të pranohej.

Ukraina ka bërë një kërkesë përmes Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) që Rusia të shpjegojë vendosjen e të trupave. Sipas Dokumentit të Vjenës, pjesë e të cilit është Rusia, anëtarët e OSBE-së mund të kërkojnë informacion mbi aktivitetet ushtarake të një anëtari.

“Nëse Rusia është serioze kur flet për pandashmërinë e sigurisë në hapësirën e OSBE-së, ajo duhet të përmbushë angazhimin e saj për transparencën ushtarake në mënyrë që të de-përshkallëzojë tensionet dhe të rrisë sigurinë për të gjithë”, tha ministri i Jashtëm Kuleba.

Megjithatë, presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky, i cili kritikoi “panikun” që mund të përhapet nga pretendime të tilla, tha se nuk kishte parë asnjë provë që Rusia po planifikonte një pushtim në ditët në vijim./BBC