Rrëzimi i aeroplanit.

Ukraina ka qasje në kutitë e zeza të aeroplanit të rrëzuar në Teheran

Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Vadym Prystayko, tha se vendi i tij nuk ka gjetur ndonjë provë se rrëzimi i aeroplanit ukrainas në Iran ishte sulm terrorist.

Ai tha se Kijevi dëshiron themelimin e një koalicioni ndërkombëtar, për të hetuar incidentin që ndodhi më 8 janar.

Nga rrëzimi i aeroplanit ukrainas, menjëherë pas ngritjes nga aeroporti i Teheranit, humbën jetën 176 persona në bord.

Ministri Prystayko tha se nuk ka asnjë arsye të thuhet se autoritetet iraniane nuk duan të bashkëpunojnë me Ukrainën “në hetimin e shkakut të rrëzimit të fluturakes”.

Sipas tij, autoriteteve ukrainase u është dhënë qasje në kutitë e zeza, të cilat përmbajnë të dhënat e fluturimit të aeroplanit Boeing 737-800.

“Ekspertët po analizojnë edhe videot e ndryshme nga vendi ku është rrëzuar aeroplani”, tha Prystayko.

Zyrtarët amerikanë, kanadezë dhe britanikë kanë thënë se është “shumë e mundshme” që aeroplani të jetë goditur – me siguri gabim – nga një raketë iraniane.

Rrëzimi i aeroplanit ndodhi disa orë pasi Irani gjuajti 23 raketa në bazat irakiane që strehojnë trupat e SHBA-së.

Nëse rezulton se aeroplani u qëllua nga një raketë, tha Prystayko, Ukraina do të kërkojë dënimin e atyre që janë përgjegjës dhe kompensim nga ana e Iranit.

Në bord ishin 63 kanadezë, 82 iranianë, 10 suedezë, katër afganë, tre gjermanë, tre britanikë, 11 ukrainas, përfshirë nëntë anëtarë të ekuipazhit. /REL