Ushtari ukrainas, Foto: Presidenca e Ukrainës

Ukraina intensifikon kundërofensivën në jug të shtetit

Forcat ushtarake ukrainase kanë intensifikuar kundërofensivën e tyre me qëllim të rikthimit të territorit të humbur në jug.

Ndërkohë, Rusia ka nisur sulme vdekjeprurëse në qendër të Ukrainës dhe afër kryeqytetit Kiev, ndonëse ka raportime se Moska po përballet me mungesë të personelit në rajonin lindor.

Ukraina ka përdorur sistemet raketore me rreze të gjatë – që ia ka siguruar Perëndimi – për të dëmtuar rëndë tri ura afër Lumit Dniepër në javët e fundit.

Në këtë mënyrë Rusisë i janë kufizuar mundësitë për të furnizuar forcat e saj në krahun perëndimor.

Sulmet ruse në rajonin qendror të Ukrainës, Kirovograd më 28 korrik, kanë lënë të vdekur pesë njerëz dhe kanë plagosur 26 në qytetin Kropivnitski, kanë thënë zyrtarët.

Afër Kievit, rreth 15 njerëz janë plagosur në një bazë ushtarake.

Rajonet veriore dhe ato jugore të Ukrainës janë goditur po ashtu.

Sulmet me raketa ruse kanë shënjestruar edhe rajonet e Kievit, Çernihivit, Mikollaivit dhe Harkivit.

Ministria britanike e Mbrojtjes ka thënë në përditësimin e saj të fundit më 29 korrik se Moska ka angazhuar mercenarë të grupit Vagner, të lidhur me Kremlinin, në lindje të Ukrainës, që në ditët e para të nisjes së luftës.

Ligjvënësja amerikane, Elissa Slotkin ka thënë se më shumë se 75.000 ushtarë rusë që luftonin në Ukrainë, besohet se janë vrarë apo plagosur.

Kjo shifër përbën gati gjysmën e numrit të trupave që Moska i ka dërguar në Ukrainë, prej nisjes së pushtimit të këtij shteti më 24 shkurt.

Duke folur për transmetuesin amerikan, CNN, Stolkin ka thënë se shifra e viktimave është “shumë e madhe”.

Ajo i ka bërë këto deklarata pas pjesëmarrjes në një takim me zyrtarë për inteligjencë të administratës së presidentit amerikan, Joe Biden.

“Ne jemi njoftuar se mbi 75.000 rusë, ose janë vrarë, ose janë plagosur, e që është shifër e madhe. Shuma të mëdha janë investuar në forcat e tyre tokësore, mbi 80 për qind e këtyre forcave janë të bllokuara ose të lodhura”, ka thënë ajo.

Viktimat ushtarake konsiderohen sekrete shtetërore në Rusi – edhe në kohë të paqes – prandaj Moska nuk i përditëson të dhënat e saj.

Sipas vlerësimeve të fundit të Agjencisë Qendrore të Inteligjencës (CIA), rreth 15.000 ushtarë rusë janë vrarë në luftime.

Slotkin, e cila ka vizituar së fundi Ukrainën, ka thënë se periudha e ardhshme – tri deri në gjashtë javë – do të jetë shumë e rëndësishme për drejtimin që do të marrë lufta.

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka urdhëruar pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt.

Ai e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra./REL