Brian Britigan/POLITICO

Ukraina - Frika më e madhe e Perëndimit

Teksa tensionet mbi Ukrainën po shtohen nga çasti në çast, ekspertët paralajmërojnë viktima të shumta, mijëra refugjatë, një vend të përçarë  – dhe një kontinent të paqëndrueshëm.

A do ta sulmojë, apo jo?

Ta lexosh mendjen e Vladimir Vladimiroviq Putinit nuk ka qenë asnjëherë diçka e lehtë.

Dhe, atij i pëlqen pikërisht kjo gjë.

Megjithatë, në përplasjen e tij me Perëndimin lidhur me Ukrainën, presidenti rus e ka shpënë lojën e tij hamendësuese në një nivel krejtësisht të ri. Varësisht se kë e pyet, Putini do ta ngërthejë Evropën në konfliktin e saj më serioz ushtarak që nga Lufta e Dytë Botërore apo Putini po bën një bllof të detajuar për t’i treguar Perëndimit se ai është po aq i rrezikshëm sa asnjëherë më parë.

Nëse është në kërkim të vëmendjes, ai e ka tashmë atë. Në lojë nuk është vetëm e ardhmja e një Ukraine të lirë dhe demokratike, por e gjithë arkitektura e sigurisë e Evropës pas Luftës së Ftohtë.

Pasi grumbulloi më shumë se 100,000 trupa dhe pajisje ushtarake përgjatë kufirit të Ukrainës në pika strategjike nga Bjellorusia në Krime, Putin e ka vënë Rusinë në një pozicion sulmi dhe pushtimi në fqinjin e saj jugor brenda disa javësh. Forcat e armatosura të Ukrainës, sado të vendosura, nuk do të ishin të krahasueshme me ushtrinë ruse të mirëpajisur dhe të testuar në betejë. Pyetja nuk është nëse Ukraina mund ta zmbrapsë një sulm rus, por për sa kohë mund t’i mbajë rusët larg – dhe çfarë do të ndodhë më pas.

“Rusët mund të mos kenë shumë vështirësi për ta shpallur fitoren pas disa javësh, por atëherë do të fillojë lufta e vërtetë”, tha Maximilian Terhalle, studiues gjerman i studimeve të luftës dhe profesor në Shkollën Ekonomike të Londrës. “Vështirësia do të ishte ta ndalonin atë dhe rusët shumë shpejt do të mund të ishin dëshmitarë të një lufte brutale guerile”.

Pavarësisht rreziqeve të tilla, një sërë kërkesash maksimaliste që negociatorët e Kremlinit ia dorëzuan zyrtarëve amerikanë në një takim në Gjenevë këtë muaj, sugjerojnë se Putini nuk po kërkon një zgjidhje diplomatike.

Kushtet e Moskës për t’u tërhequr nga një pushtim i mundshëm i Ukrainës – ndalimi i zgjerimit të mëtejshëm të NATO-s, përfundimi i bashkëpunimit midis NATO-s dhe vendeve joanëtare dhe ndalimi i aktivitetit të NATO-s në territorin e anëtarëve të saj të Evropës Qendrore dhe Lindore – ishin qartësisht një dështim qysh në start. Një teori është se me listën e tij joreale të dëshirave, udhëheqësi rus thjesht po përpiqej të krijonte një ‘Kal Troje’ për librat e historisë, me shpresën se nuk do të fajësohej i vetmi për atë që do të pasonte pastaj.

“E vetmja gjë që nuk ishte në listë ishte një kërkesë për kthimin e Alaskës”, tha Michael Kofman, ekspert kryesor në ushtrinë ruse dhe drejtor i programit të studimeve për Rusinë në CNA, një institut me seli në Uashington. “Unë mendoj se ai dëshiron një refuzim të SHBA për të justifikuar përdorimin e forcës dhe për shënime historike”.

Por, ku e ka fundin loja e Putinit?

Nuk është sekret se ai është i hidhëruar për humbjen e perandorisë sovjetike të Rusisë, të cilën ai dikur e quajti “katastrofa më e madhe gjeopolitike e shekullit”. Shumë vëzhgues veteranë të Rusisë besojnë se qëllimi i tij është ta kthejë atë histori – në një masë të konsiderueshme – duke e rikthyer Ukrainën në gjirin rus, një synim që ai tashmë e ka arritur me Bjellorusinë. Një kurs i tillë do ta largonte mundësinë që Ukraina të mund të anëtarësohej ose në BE ose në NATO, të cilën Putin e konsideron si një kërcënim për qëndrimin e tij të mëtejshëm në pushtet, dhe do ta rivendoste një pengesë të rëndësishme midis Rusisë dhe aleancës perëndimore.

“Unë jam i bindur se sovraniteti i vërtetë i Ukrainës është i mundur vetëm në partneritet me Rusinë”, shkroi Putin në një ese të botuar në muajin korrik, në të cilën ai iu referua gjithashtu rusëve dhe ukrainasve si “një popull”.

Për Putinin, një student i mprehtë i historisë që e do lulëzimin simbolik, viti 2022, njëqindvjetori i themelimit të Bashkimit Sovjetik, do të ishte koha e përkryer për të lëvizur me ndonjë vendim kundër Ukrainës.

Megjithëse as Uashingtoni e as Evropa nuk po heqin dorë nga shpresa për një zgjidhje diplomatike, është e vështirë të shihet se çfarë mund t’i ofrojë Perëndimi udhëheqësit rus në vend të kontrollit mbi Ukrainën.

Vlen gjithashtu të kujtohet se Putini nuk është shmangur saktësisht nga përdorimi i forcës në të kaluarën e afërt, duke e kapur Perëndimin në befasi në çdo hap të rrugës, nga pushtimet e tij në Gjeorgji dhe Ukrainë e deri te dislokimet ushtarake të Rusisë në Siri.

Për më tepër, nëse Putini do të tërhiqej pa e shkrepur asnjë plumb pas dislokimit të mijëra trupave në të gjithë Rusinë (me shpenzime masive), ai do të dukej si një lider, lehja e të cilit do të dukej më e keqe se kafshimi i tij – jo një reputacion i mirë për një autoritar. Vetë elitat e tij mund ta fillojnë të vënë në dyshim mentalitetin e tij.

Kjo është arsyeja pse presidenti i SHBA Joe Biden dhe shumë aleatë të NATO-s besojnë se një lloj konflikti i armatosur është i pashmangshëm, nëse për asnjë arsye tjetër veçse për ta justifikuar grumbullimin e trupave në kufi me Ukrainën dhe për t’i dhënë Putinit më shumë levë mbi të ardhmen e Ukrainës në tryezën e negociatave pastaj.

Ndarja e parashikuar

Por, si do të dukej ky opsion? Skenarët variojnë nga krijimi i një “ure tokësore” për në Krime deri në një pushtim në shkaëllë të gjërë të të gjithë Ukrainës. Shumë e konsiderojnë opsionin e parë të pamjaftueshëm për Putinin për ta realizuar qëllimin e tij për të kontrolluar të ardhmen politike të Ukrainës dhe këtë të fundit shumë të komplikuar në terma afatgjatë.

Për ta vlerësuar më mirë mendimin strategjik të Kremlinit, POLITICO foli me analistë ushtarakë dhe zyrtarë të mbrojtjes në të dy anët e Atlantikut. Ndërsa ata nuk pajtohen për shumë nga detajet, kishte konsensus se skenari ideal i Putinit do të ishte një Ukrainë e ndarë që e lë atë me kontrollin e vendit në lindje të lumit Dnieper, i cili rrjedh afërsisht në mes të Ukrainës, nga kufiri Bjellorusi në Deti i Zi.

Në një prelud të një pushtimi, Moska do të prodhonte një lloj justifikimi për një sulm, siç është mbrojtja e sigurisë së qytetarëve rusë në rajonin e Donbass. Mund të fillojë me përleshje përpara se të përhapet në atë që SHBA u ka thënë privatisht aleatëve të saj se ka të ngjarë të kthehet në “luftë gjithëpërfshirëse”.

Me mijëra trupa të vendosura në Bjellorusi, e cila është më pak se 200 kilometra në veriperëndim të Kievit, si dhe përgjatë kufijve të Rusisë me Ukrainën dhe në Krime, Rusia mund ta kryejë një sulm të njëkohshëm e të shumëanshëm, duke dërguar forca të mekanizuara në të gjithë Ukrainën. Një objektiv kyç do të ishte Kievi, të cilin rusët mund ta sulmonin nga të dyja anët e Dnieperit, si dhe nga ajri.

Forcat ruse do të kishin një qasje të ngjashme me qendrat e tjera kryesore urbane, si Kharkivi, qyteti i dytë më i madh i Ukrainës, i vendosur në verilindje të vendit më pak se 50 kilometra nga kufiri. Përveç forcave të rregullta, grumbullimi rus përfshin gjithashtu njësi të gardës kombëtare ruse, misioni i të cilave do të ishte të ndihmonin në menaxhimin e një pushtimi duke siguruar rendin në qytete dhe duke ndihmuar inteligjencën ruse të grumbullonte disidentët e dyshuar dhe cilindo tjetër që ata dyshojnë se do t’i rezistonte atyre. Të arrestuarit do të dërgoheshin në kampe burgu, ose në Ukrainë ose në Rusi.

Një pyetje e madhe është se sa rezistencë do të hasnin rusët. Moska duket se po vë bast që ukrainasit në lindje, ku rusishtja është gjuha mbizotëruese, të ndrrojnë mendje dhe të pranojnë një bashkim me kushërinjtë e tyre veriorë, një supozim që disa vëzhgues mendojnë se është një gabim i madh.

“Rusët po e nënvlerësojnë vendosmërinë e Ukrainës”, tha Gustav Gressel, analist rus në Këshillin Evropian për Marrëdhëniet me Jashtë, i cili mendon se ukrainasit do të bënin një luftë të ashpër.

Por kjo do t’i linte rusët me dy opsione: të tërhiqen dhe të pranojnë një zgjidhje diplomatike, ose të dyfishohen.

“Mendja  ime më thotë se Putini do të dyfishohet sepse e vetmja mënyrë që ai mund të arrijë qëllimin e tij politik për të vendosur kontrollin mbi Ukrainën është ta nënshtrojë dhe ta pushtojë atë”, tha Gressel.

Kjo do të nënkuptonte viktima të konsiderueshme nga të dyja palët, duke përfshirë shumë civilë ukrainas.

Edhe nëse Rusia do ta merrte shpejt Kievin dhe do të vendoste kontrollin mbi gjysmën lindore të vendit, rreziku i një kryengritjeje të zgjatur, të mbështetur nga Perëndimi, do të mbetej. Por nuk është e sigurt që ukrainasit e rregullt janë të përgatitur ta ndjekin atë rrugë. Së pari, një vend i rrafshët nuk i përshtatet taktikave guerile.

“Mund të ndodhë që rusët ta kenë arritur në përfundimin se një okupim është i menaxhueshëm”, tha Kofman i CNA.

Në të vërtetë, Rusia ka një rekord të nënshtrimit të kryengritjeve, veçanërisht në Çeçeni. Një vështrim në Grozny, kryeqyteti çeçen, të cilin Rusia e ka rrafshuar me tokë, do t’i jepte kujtdo një të menduar në lidhje me marrjen e forcave ruse. Nëse rusët do të pranonin një trajtim të tillë të ukrainasve, kjo është një pyetje tjetër.

Me një qeveri marionete miqësore ndaj Moskës në Kiev dhe kontrollin e Ukrainës lindore, gjysma perëndimore, kryesisht në gjuhën ukrainasefolëse të vendit, do të bëhej një lloj shteti, një tampon midis sferave ruse dhe NATO-s.

Nëse kjo ndodh, Putini mund ta ketë hequr kërcënimin që ai beson se një Ukrainë e lirë nënkupton një qëndrim për sundimin e tij, por kostot do të ishin të mëdha nga të gjitha anët.

Valë refugjatësh 

Një sulm dhe pushtim rus në lindje do të shkaktonte një valë refugjatësh në Ukrainën perëndimore dhe Evropë. Ukrainasve u lejohet udhëtimi pa viza në BE, duke e bërë të mundshme që shumë do të udhëtojnë atje për të aplikuar për azil.

Perëndimi, i cili deri më tani ka qenë i ndarë kur bëhet fjalë për sanksione të mëtejshme kundër Rusisë, do të ishte më i bashkuar se asnjëherë më parë që nga Lufta e Ftohtë.

Edhe në Gjermani, ku establishmenti politik është munduar maksimalisht për t’ia bërë qejfin Putinit, gjërat do të ndryshojnë në mënyrë radikale. Nëse ka një gjë që e majta gjermane nuk do ta pranojë, ai është një konflikt i armatosur, veçanërisht kur vriten civilë. 

“Një pushtim do ta bashkonte NATO-n si kurrë më parë”, tha një zyrtar i lartë gjerman i mbrojtjes.

Kjo ka të ngjarë të rezultojë në më shumë trupa amerikanë në Evropë dhe pezullimin e marrëveshjes së Perëndimit me Rusinë për të mos krijuar baza të përhershme të NATO-s në Baltik ose në Evropën Qendrore dhe Lindore. Diskutimet në Finlandë dhe Suedi për anëtarësimin në NATO do të intensifikoheshin.

Rezistenca e Gjermanisë për të shpenzuar më shumë për mbrojtjen do të avullohej.

Shtetet e Bashkuara, forcat e të cilave do të shtriheshin pak midis Evropës dhe Azisë, do të kërkonin që evropianët të marrin më shumë përgjegjësi për sigurinë e tyre.

Mjedisi i sigurisë së Evropës do të kishte ndryshuar rrënjësisht, duke i kthyer me gjasë konfliktet e zjarrta diku tjetër në kontinent, të tilla si Bosnja dhe Hercegovina, përsëri në qendër të vëmendjes. Rusia mund të përdorë ndikimin e saj atje dhe gjetkë në Ballkan, veçanërisht në Serbi, për të shkaktuar ndarje të mëtejshme në Evropë.

Një pyetje e madhe është nëse Putini është i përgatitur ta përballojë goditjen masive që do ta merrte ekonomia ruse në vazhdën e një pushtimi.

Perëndimi do të vendoste sanksione shumë më të ashpra ndaj Rusisë krahasuar me sanksionet e vendosura aktualisht. Përtej hapave fillestarë të tillë si anulimi i projektit të gazsjellësit Nord Stream 2 dhe pezullimi i Rusisë nga sistemi ndërkombëtar i pagesave financiare i njohur si SWIFT, SHBA mund të vendosë sanksione sakatuese ndaj bankave ruse, duke e bërë të pamundur funksionimin ndërkombëtar të tyre.

Këto lëvizje do ta bënin Rusinë edhe më të varur nga Kina, duke e hapur Putinin ndaj presionit nga Pekini.

Por Rusia, e cila është një furnizues i madh me gaz dhe naftë për Perëndimin, nuk do të ishte e vetmja që do të pësonte. Sanksionet mbi sektorin energjetik të vendit ka të ngjarë ti rrisin çmimet globale të mallrave, diçka që konsumatorët do ta ndjenin pothuajse menjëherë në pikat e karburanteve dhe në faturat e tyre të ngrohjes.

Ndërkohë që disa shqetësohen se një tjetër pushtim rus i Ukrainës do ta kthente Evropën në Luftën e Ftohtë, kjo mund të jetë vetëm gjysëm e vërtetë. Për pjesën më të madhe të Luftës së Ftohtë, marrëdhëniet midis Lindjes dhe Perëndimit ishin të qëndrueshme, të qeverisura nga një sërë marrëveshjesh për kontrollin e armëve dhe traktate të tjera. Ajo që mund të ndodhë në rast të një pushimi rus të Ukrainës do të jetë shumë më e paparashikueshme. Dhe ndryshe nga periudha e Luftës së Ftohtë, SHBA duhet të ndajë vëmendjen e saj midis Azisë dhe Evropës.

Një shqetësim tjetër i madh është se Kina mund ta përdorë një krizë në Ukrainë për të provuar ta marrë Tajvanin me forcë, një hap që do ta shtynte botën në një krizë edhe më të thellë.

“Patjetër që bota do të shndërrohet në një vend më të errët dhe më të keq përpara se të përmirësohet”, parashikoi Kofman. “Ne do të kthehemi në një botë shumë të vjetër që disa prej nesh shpresonin të mos e shihnin kurrë më.”/POLITICO