Ushtria ukrainase, Foto: Presidenca e Ukrainës

Ukraina dhe Rusia pajtohen për armëpushim 12-orësh për largimin e civilëve

Ushtria e Ukrainës është pajtuar për një armëpushim 12-orësh me Rusinë, për t’i lejuar civilët të largohen përmes korridoreve humanitare nga ky shtet.

Kështu bëri të ditur sot zëvendëskryeministrja e Ukrainës, Iryna Vereshchuk.

Vereshchuk shtoi se kryeministri ukrainas, Denys Shmygal do të bisedojë me Komitetin Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq të mërkurën rreth rrugëve të propozuara për armëpushimin, i cili zgjat nga ora 09:00 e mëngjesit deri në 21:00 sipas kohës lokale, raporton CNN.

“I bëj thirrje Federatës Ruse: ju keni bërë një premtim zyrtar publik”, tha ajo.

Vereshchuk tha se armëpushimi do të lejonte civilët të arratiseshin përmes “korridoreve të gjelbërta” në zonat: Energodar-Zaporizhia, Sumy-Poltava, Mariupol-Zaporizhia, Volnovakha-Pokrovsk, Izium-Lozova, Vorzel, Bucha, Irpin, Borodyanka, Gostomel-Kiev.

Vereshchuk theksoi dy rrugë në veçanti për evakuimin e civilëve nga qyteti port i Mariupol dhe qyteti lindor i Volnovakha, të cilat të dyja janë rrethuar nga forcat ruse për disa ditë.

“Banorët e Volnovakha-s kthehen nga unë dhe më kërkojnë që të përmbushet premtimi i Federatës Ruse sot, njerëzit duhet të jenë në gjendje të largohen nga vendet ku tani fshihen nga breshëri i raketave dhe zjarri shkatërrues që është duke i vrarë”, tha ajo.

Vereshchuk tha se do të ketë gjithashtu një operacion special për evakuimin e një jetimoreje pranë Kievit, në periferi të Vorzel.

Ajo tha se atje ishin 55 fëmijë dhe 26 anëtarë të stafit./CNN

Përgatiti: Arbisa Shefkiu