Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel; Fotografi: REL
Ukraina dhe Moldavia marrin statusin e kandidatit për anëtarësim në BE
Udhëheqësit e BE-së vendosën të enjten t’i japin Ukrainës dhe Moldavisë zyrtarisht statusin e kandidatit për anëtarësim në Bashkimin Evropian, njoftoi Presidenti i Këshillit Evropian Charles Michel në Twitter.
“Një moment historik. Sot shënon një hap vendimtar në rrugën tuaj drejt BE-së”, shkroi Michel në Twitter.
Pas vendimit ka reaguar presidenti ukrainas, Volodymir Zelensky, i cili ka shkruar në Twittter se e ardhmja e Ukrainës është në BE.
“Përgëzoj sinqerisht vendimin e liderëve të BE-së për t’i dhënien e statusit kandidat. Është një moment unik dhe historik në marrëdhëniet tona. Mirënjohës ndaj Charles Michel dhe liderët e BE-së për mbështetje. E ardhmja e Ukrainës është brenda BE-së”, tha ai.
Ukraina e shkatërruar nga lufta dhe fqinji i ngushtë Moldavia kanë lobuar për muaj të tërë për të nisur procesin e gjatë të anëtarësimit në bllokun 27-anëtarësh.
Aderimi në BE, një proces i ngarkuar politikisht dhe ligjërisht kompleks, mund të zvarritet për vite apo edhe dekada./REL