Ujkan Bajra synon të bëhet profesor asistent por senati pret interpretim të Anti-Korrupsionit

Një interpretim nga ana e Agjencionit Kundër Korrupsion do të jetë vendimtar për ish-kryesuesin e Këshillit Drejtues të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, Ujkan Bajra, nëse ai do të mund të bëhet profesor asistent i këtij universiteti.

Bajra ka kandiduar për profesor asistent në Fakultetin e Shkencave Matematiko Natyrore, ku mori vlerësim pozitiv nga Komisioni Vlerësues e rekomandim pozitiv nga Këshilli i këtij fakulteti, por u ndalua në filtrin e fundit, në komisionin këshilldhënës të rektoratit.

Kjo për shkak e Bajra deri para pak kohësh kishte qenë pjesë e Këshillit Drejtues të UP-së, një ndër institucionet kryesore qeverisëse të Universitetit.

Rektorati ka dorëzuar një shkresë në drejtim të AKK-së për të marrë një përgjigje nëse Bajrës i lejohet të punësohet si profesor asistentë pasi ai ka pasur pozitën e anëtarit të Këshillit Drejtues, pozitë kjo që është e zyrtarit të lartë brenda UP-së.

Kjo çështje u diskutua në mbledhjen e sotme të senatit, ku rektori Naser Sahiti tha se ka kërkuar interpretim nga ana e Agjencisë Kundër Korrupsion dhe s’ka ende përgjigje.

Sipas tij, pa ndonjë vendim të AKK, Rektoria të mos votoj.

“Unë propozoi që rasti të tërhiqet deri tek një vendim apo përgjigje nga ana e Agjencisë Kundër Korrupsion, në momentin që vjen ai vendim, ne menjëherë do ta qesim në votim në senat”, tha Sahiti.

Por, mendim të kundërt ndau dekani i FShMN-së, Idriz Vehapi, i cili tha se nuk e konsideron konflikt të interesit.

“Në neni 1 dhe nenin 1.2 nuk specifikohet askund që i ndalohet ish-kryesuesit të punësohet në UP dhe ky i ka plotësuar të gjitha kriteret për avancim”, tha Vehapi.

Përkrahje Bajra mori edhe nga ana e dekanit të Fakultetit Juridik, Avni Puka dhe senatorit të  Fakultetit Juridik, Qerkin Berisha.

Duke e interpretuar ligjin, Berisha tha se “është e qartë që nuk ka ndonjë ndalesë që me u zgjedh mësimdhënës e thotë edhe ligji, por ka ndalesë në marrjen e funksioneve menaxheriale”.

E dekani, Avni Puka tha se senati nuk duhet të kërkoj interpretime nga agjencionet, në mënyrë që të ruhet autonomia e universitetit, derisa shtoi se nuk sheh ndonjë pengesë që Bajra të emërohet profesor.

“Në bazë të dispozitave nuk ka pengesë që të votohet. Ma problematike janë pjesët akademike, e që kandidati i ka plotësuar të gjitha kriteret”, tha Puka.

Por, rektori Sahiti nuk u pajtua më qëndrimet e tyre dhe e hodhi në votim propozimin e tij që votimi i Bajrës si profesor asistent të shtyhet deri në ndonjë vendim të Agjencisë Kundër Korrupsion.

Senati vendosi që të pres interpretimin e Agjencisë Kundër Korrupsionit mbi këtë rast.

Bajra ishte zgjedhur për dy herë radhazi kryesues i Këshillit Drejtues të Universitetit të Prishtinës, i propozuar nga nga Ministria e Arsimit.

Ai ka qenë kryesues deri më 6 maj të këtij viti deri kur dha dorëheqje.

Këshilli Drejtues i Universitetit është organi kryesor qeverisës i Universitetit dhe anëtarët e këtij këshilli kanë qasje në gjitha vendimet që lidhjen me ështje financiare (buxheti, personeli, infrastruktura).

Kurse, baza që rektorati e ka dërguar në AKK është Ligji për Parandalimin e Konlfiktit të Interesit, neni 18 pika 1.2, ku thuhet se zyrtari i lartë  nuk ka të drejtë ‘të përfshihet në marrëdhënie kontraktore, drejtpërdrejt ose nëpërmjet ndonjë personi të afërm ose të besuar, me institucionin ku ka ushtruar funksionin publik për një periudhë deri në dy (2) vjet pas përfundimit të funksionit publik’.

Konkursi për emërimin, riemërimin dhe avancimin e personelit akademik të UP-së ishte hapur më 17 maj të këtij viti në 14 fakultete të këtij UP-së.

Konkursi ka qenë i hapur deri më 31 maj dhe më pas vlerësimet janë bërë nga ana e Komisioneve Vlerësuese të ndara nga Këshillet e Fakulteteve.

Çdo raport i komisionit vlerësues kalon në filtrat e Këshillit të Fakultetit dhe një grupi këshilldhënës të rektoratit të UP-së dhe më pas vendos Senati.

Ujkan Bajra ka qenë njëri nga kandidatët për pozitën e Auditorit të Përgjithshëm të Zyrës Kombëtare të Auditimit, por që në fund ishte emëruar Vlora Mehmeti Spanca.