Foto: Denis Sllovinjai/KALLXO.com
Uji nga Liqeni i Badovcit ende s'mund të përdoret për pije
Tashmë ka një muaj që uji i cili vjen nga Liqeni i Badovcit përmes Ujësjellësit Rajonal KRU “Prishtina” nuk mund të përdoret për pije për shkak të nivelit të lartë të manganit.
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK), njofton se janë duke vazhduar me monitorimin e ujit në këtë liqen, ndërsa ka ndarë vlerat e manganit nga më e ulëta deri te më e larta, sipas zonave të cilat janë të prekura në kryeqytet.
“Rezultatet nga analizat e ditës e diele (03.11.2024) tregojnë se vlerat e manganit sillen: Më e ulëta 0.151 mg/l (Lagja Qëndresa) deri te më e larta: 0.467 mg/L (Rr. Hyzri Talla -Kodra e Diellit). Bazuar në të dhënat si më lart, uji në tërë zonën e furnzimit nga Liqeni i Badovcit (PR 03) ende nuk mund të përdoret për pije” – thuhet në njoftimin e IKShPK, më 04.11.2024.
Nga IKShPK thonë se do të vazhdojnë me monitorimin e rregullt të ujit në Liqenin e Badovcit në bashkëpunim me KRU “Prishtina”.
Sipas Udhëzimit Administrativ numër 10/2021, për cilësinë e ujit të destinuar për konsum nga njeriu, norma e lejuar për mangan në ujin për pije është 0.05 mg/L.
Arjeta Mjeku, zëdhënëse e KRU “Prishtina” në një përgjigje për KALLXO.com më 04.11.2024 e ka konfirmuar se janë duke vazhduar me pastrimin dhe shpërlarjen e linjave magjistrale dhe sekondare në mënyrë që të mos mbetet sasi e manganit në tubacione primare dhe sekondare.
Zonat e prekura nga kjo dukuri, sipas KRU “Prishtina” janë: Badovci, Badovci i Ri, Graçanica, Sushica, Shashkovci, Kishnica, Preoc, Llapnasella, Hajvalia, Veterniku, Lagjja e Spitalit dhe rrugët e kryeqytetit – “Muharrem Fejza”, “Holger Petersen”, “Sokol Sopi”, “Ndue Përleshi”, Rruga B, rruga C dhe në tërësi Lagjja Bregu i Diellit.
Të gjitha këto zona, KRU “Prishtina” është duke i furnizuar me ujë të pijshëm, në orar të caktuar, përmes autobotëve.
Edhe në tetor të vitit të kaluar, më 19.10.2023, qytetarët që furnizohen me ujë të pijes nga Liqeni i Badovcit u alarmuan pas një lajmërimi nga IKSHPK që të mos konsumohet ky ujë për shkak se u gjetën vlera të rritura të manganit.
Mirëpo pas një muaji, më 20.11.2023, IKShPK njoftoi se uji i Liqenit të Badovcit mund të përdoret për pije.